Thinking ...
Connect with us

Bota

TAKIM SEKRET NË GJERMANI QE NGRE ALARMIN/ IZRAELI DHE 7 VENDE ARABE BASHKË KUNDËR IRANIT

Published

on

Një takim i pazakontë dhe i mbajtur larg vëmendjes publike ka bashkuar në Gjermani krerët e lartë ushtarakë të Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe shtatë vendeve arabe.

Sipas medias, takimi u zhvillua javën e kaluar me iniciativën e komandantit të CENTCOM-it, admiralit Brad Cooper. Në tryezë ishin shefat e shtabeve të Izraelit, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit, Kuvajtit, Katarit, Jordanisë dhe Egjiptit.

Në qendër të diskutimeve ishte lufta me Iranin dhe situata gjithnjë e më e tensionuar në Lindjen e Mesme. Takimi merr një rëndësi të veçantë pasi, sipas burimeve, është hera e parë që një grup kaq i gjerë komandantësh ushtarakë mblidhet që prej nisjes së luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, më shumë se gjashtë muaj më parë.

Admirali Brad Cooper u ka dhënë homologëve të tij garanci se Shtetet e Bashkuara nuk planifikojnë të tërheqin trupat nga rajoni, pavarësisht sulmeve iraniane ndaj bazave amerikane. Në fokus ka qenë edhe plani amerikan për zgjerimin e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit, një prej pikave më strategjike për transportin e energjisë.

Ndërkohë, shefi i ushtrisë izraelite, gjenerali Eyal Zamir, ka informuar pjesëmarrësit mbi operacionet izraelite në fronte të ndryshme.

CENTCOM konfirmoi zhvillimin e takimit, por nuk publikoi detaje mbi diskutimet. Sipas komandës amerikane, në Gjermani u pritën drejtues të lartë ushtarakë nga tetë vende, në një konferencë të planifikuar për forcimin e bashkëpunimit të sigurisë në Lindjen e Mesme.

Por Irani nuk është i vetmi shqetësim.

Në tryezë ka qenë edhe kërcënimi nga Houthit, të cilët, sipas burimeve të cituara nga Axios, kanë intensifikuar sulmet ndaj Arabisë Saudite dhe kanë zgjeruar kontrollin e tyre në zonën e Bab al-Mandabit, në Detin e Kuq.

Sipas të njëjtave burime, Izraeli dhe Arabia Saudite, me asistencën e CENTCOM-it, po diskutojnë edhe mundësinë e një mbështetjeje izraelite për operacionet saudite kundër Houthive, përfshirë shkëmbimin e të dhënave të inteligjencës, survejimit dhe zbulimit.

Takimi sekret në Gjermani sinjalizon kështu një koordinim ushtarak gjithnjë e më të ngushtë mes Uashingtonit, Tel Avivit dhe vendeve arabe, në një kohë kur tensionet me Iranin dhe aleatët e tij kërcënojnë të zgjerojnë konfliktin në të gjithë Lindjen e Mesme.

Advertisement