Thinking ...
Connect with us

Bota

I DASHUR ARMIK/ LUFTA E FSHEHTË E PUTINIT, NË SHËNJESTËR ZGJEDHJET AMERIKANE

Published

on

Rusia mund të jetë duke përgatitur një tjetër ofensivë të fshehtë ndaj Shteteve të Bashkuara, këtë herë me objektiv zgjedhjet e nëntorit.

Në analizën e tij, David Corn rikthen në vëmendje historinë e ndërhyrjeve ruse në proceset zgjedhore amerikane dhe ngre shqetësimin se dobësimi i strukturave amerikane kundër ndikimit të huaj mund ta bëjë Uashingtonin më të ekspozuar përballë operacioneve të reja të Moskës.

Corn kujton se ndërhyrja ruse nuk lidhet vetëm me zgjedhjet e vitit 2016. Sipas hetimeve të komunitetit amerikan të inteligjencës, Komisionit të Inteligjencës së Senatit dhe hetimit të Robert Mueller, Vladimir Putin kishte urdhëruar operacione për të dëmtuar fushatën e Hillary Clintonit, për të ndihmuar Donald Trumpin dhe për të minuar besimin te demokracia amerikane.

Sipas autorit, operacione të ngjashme u shfaqën edhe në zgjedhjet e vitit 2020 dhe 2024. Në vitin 2020, në qendër të një prej këtyre përpjekjeve ishte ukrainasi Andriy Derkach, i cili publikoi materiale dhe regjistrime që synonin të godisnin Joe Bidenin. SHBA-ja e cilësoi më pas Derkachun si një agjent rus të përfshirë në një operacion të fshehtë ndikimi.

Në vitin 2024, sipas Corn, Moska përdori rrjete të tilla si Storm-1516, Storm-1679 dhe Doppelganger, të cilat prodhuan dhe shpërndanë video e histori të manipuluara për të ndikuar te votuesit amerikanë.

Në shënjestër u vendosën Joe Biden, Kamala Harris dhe Tim Walz, ndërsa disa prej materialeve të manipuluara synonin të krijonin perceptimin për korrupsion, skandale personale, dhunë paszgjedhore dhe madje për një përshkallëzim të mundshëm mes SHBA-së dhe Rusisë.

Por shqetësimi kryesor i autorit lidhet me atë që ai e konsideron si dobësimin e mekanizmave amerikanë kundër ndërhyrjeve të huaja.

Corn shkruan se pas rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, struktura të FBI-së dhe inteligjencës që kishin punuar mbi hetimet e ndërhyrjes ruse u dobësuan, ndërsa u shpërbënë ose u mbyllën disa njësi që monitoronin ndikimin e huaj dhe dezinformimin.

Në këtë klimë, zgjedhjet e mesmandatit të nëntorit shihen si një tjetër objektiv potencial.

Sipas një ish-zyrtari të lartë të CIA-s, të cituar nga Mother Jones, Rusia pritet të përpiqet sërish të ndikojë në zgjedhjet amerikane. Shqetësimi, sipas këtij burimi, është se administrata amerikane mund të mos jetë mjaftueshëm e përgatitur, apo edhe të mos ketë vullnetin politik për t’iu kundërvënë një operacioni të tillë.

Në fund, analiza e David Corn ngre një pyetje të fortë: nëse Rusia tenton sërish të ndërhyjë në zgjedhjet amerikane, a do të kenë SHBA-të institucionet dhe kapacitetin për ta ndalur?

Advertisement