Kosova
BAHTIRI: ZHBËRJA E SPECIALES NUK E ZHDUK VENDIMIN, BETEJA DUHET BËRË NË APEL
Bedri Bahtiri kërkon bashkim politik dhe një përgjigje të koordinuar juridike e diplomatike pas vendimit ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së. Sipas tij, thirrjet që Kuvendi të zhbëjë Gjykatën Speciale, sikur kjo do ta përfundonte çështjen, janë populiste dhe mund të jenë të dëmshme.
“Edhe sikur sot të hapej çështja e mandatit të Dhomave të Specializuara, aktgjykimi nuk zhduket vetvetiu. Ai duhet të luftohet në Apel, me argumente, prova dhe punë serioze juridike”, shprehet Bahtiri.
Në qendër të kundërshtimit juridik, ai vendos konstatimin për ndërmarrjen e përbashkët kriminale. Sipas vlerësimit të tij, mbrojtja duhet të sfidojë mënyrën se si ngjarje të ndodhura në vende dhe rrethana të ndryshme janë lidhur me përgjegjësinë e krerëve të UÇK-së përmes një qëllimi të përbashkët kriminal.
Bahtiri thekson se ky konstatim nuk e shpall fajtor çdo pjesëtar të UÇK-së, por paralajmëron se mund të përdoret politikisht për të kriminalizuar luftën e saj.
“Askusht mos të mbrohet nga drejtësia, por as përgjegjësia e një individi mos t’i ngarkohet një ushtrie dhe një lufte të tërë”, thekson ai.
Në planin diplomatik, Bahtiri kërkon të sqarohet se pretendimet për trafikim organesh nuk u përfshinë në aktakuzën e këtij procesi. Ai veçon edhe pafajësinë për akuzat për krime kundër njerëzimit. Në vendimin e 16 shtatorit, katër të akuzuarit u shpallën fajtorë për krime lufte.
Bahtiri u bën thirrje qeverisë dhe opozitës të ndërtojnë një qëndrim të përbashkët, duke kërkuar angazhimin e Shqipërisë dhe mbështetjen e aleatëve, përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Kroacinë.
Ai kërkon gjithashtu qetësi dhe kundërshton çdo cenim të qytetarëve, personelit ndërkombëtar apo pronës së tyre, duke theksuar se dhuna e dëmton Kosovën.
“Nuk është koha të gjejmë fajtorë mes nesh. Është koha për bashkim, maturi dhe zgjidhje me kokën ftohtë”, përfundon Bahtiri.