Kosova
Tafani akuzon VV-në pas vendimit në Hagë: Dënimi erdhi nga dosjet ku VV pati rol
Endri Tafani ka drejtuar akuza të forta ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe Donika Gërvallës pas vendimit në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Në qendër të reagimit të tij është pretendimi për rolin që kanë pasur në dosjet e paraqitura në procesin gjyqësor.
Tafani kundërshton argumentin se mosvotimi i krijimit të Gjykatës Speciale e përjashton Vetëvendosjen nga përgjegjësia politike për atë që ndodhi më pas.
“Justifikimi VV nuk ka votuar Gjykatën është banal dhe hipokrit”, shprehet ai.
Sipas Tafanit, debati duhet të përqendrohet te personat dhe strukturat që kanë mbledhur e dorëzuar materialet për procesin. Ai pretendon se VV-ja dhe Gërvalla kanë pasur rol në këtë drejtim, ndërsa ngre edhe akuza për përfshirjen e shërbimeve sekrete serbe dhe bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë.
“Dënimi erdhi nga dosjet ku VV pati rol”, shkruan Tafani.
Ai shkon më tej, duke pretenduar se një vendim i ngjashëm do të vinte edhe nga një gjykatë tjetër, nëse përpara saj do të paraqiteshin të njëjtat materiale. Tafani kritikon gjithashtu dëshmitë e dhëna nga shqiptarë gjatë procesit.
Në tekstin e reagimit, Tafani nuk paraqet dokumente që të mbështesin akuzat për rolin e VV-së, Gërvallës apo bashkëpunimin me shërbimet serbe.