Politike
Reagimi i SHBA-BE për vendimin e Hagës/ Ilir Kulla: Nuk mund të themi se ishin jashtë kësaj pune
Reagimet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian pas vendimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së kanë hapur një debat të ri mbi përgjegjësinë politike për krijimin dhe funksionimin e këtij institucioni.
Analisti Ilir Kulla tha se SHBA dhe vendet evropiane nuk mund të konsiderohen jashtë procesit që çoi në krijimin e Gjykatës Speciale.
Sipas Kullës, megjithatë, përgjegjësia kryesore politike duhet kërkuar te përfaqësuesit e Kosovës që morën përsipër krijimin e këtij mekanizmi dhe forcimin e institucioneve të drejtësisë.
“Ne nuk mund të themi që Evropa dhe Amerika ishin jashtë kësaj pune”, deklaroi Kulla, duke iu referuar rolit që, sipas tij, aktorë ndërkombëtarë kanë pasur në proces.
Ai përmendi edhe rastin e Hashim Thaçit, duke kujtuar se ish-presidenti i Kosovës u arrestua në vitin 2020, në kohën kur po udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara.
Kulla argumentoi se, përtej rolit të faktorëve ndërkombëtarë, klasa politike kosovare kishte përgjegjësinë për vendimet politike që çuan në krijimin e Dhomave të Specializuara.
Sipas tij, kjo përgjegjësi lidhet me faktin se institucionet e Kosovës pranuan një mekanizëm të veçantë gjyqësor dhe u angazhuan për funksionimin e tij.
“Ata që kanë marrë përgjegjësinë politike, të mandatuar nga njerëzit me votë, për të krijuar këtë gjykatë dhe për të forcuar institucionet, nuk e bënë dhe prandaj jemi këtu”, tha Kulla.
Duke komentuar vendimin e shkallës së parë, analisti e cilësoi atë si një “ditë të zezë”, por theksoi se beteja ligjore nuk ka përfunduar.
Katër ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – janë dënuar në shkallë të parë me një total prej 81 vitesh burgim. Vendimi mund të ankimohet.
Pikërisht te apeli, sipas Kullës, duhet të përqendrohen përpjekjet e mëtejshme.
“E vetmja mënyrë për t’i ndihmuar ata që janë atje është që të vazhdojë puna e pareshtur që në apel të reduktohen dënimet”, deklaroi ai.
Kulla e mbylli reagimin e tij me një metaforë të fortë, duke nënvizuar se, pavarësisht debatit politik dhe ndërkombëtar, tashmë beteja kryesore zhvillohet në terrenin juridik të apelimit.
Vendimi i 16 shtatorit është i shkallës së parë dhe, për rrjedhojë, nuk përbën ende një vendim përfundimtar.
Kulla shpjegon se si nisi e gjithë historia që çoi deri te Gjykata Speciale, duke e lidhur zanafillën me librin e ish-prokurores Carla Del Ponte dhe më pas me Dick Marty-n.
“Atëherë kjo ngjarje fillon me një mashtrim publik që u bë nga libri i zonjës Carla Del Ponte, ish-prokurores zvicerane… ish-prokurore në gjykatën speciale të krimeve të luftës kundër Jugosllavisë. Më tej ambasadore në Argjentinë e Zvicrës… një italo-zvicerane, e cila pastaj ia pasoi topin në dorë kolegut të saj ish-prokuror dhe ai zotit Dick Marty, që pastaj u bë senator. Dick Marty u bë i famshëm sepse ishte një nga ata që hetoi të ashtuquajturat krime të CIA-s në luftën e Irakut, për marrjen e këtyre dëshmitarëve në burgjet sekrete të CIA-s dhe u bë i famshëm në atë kohë në Evropë dhe ishte njeri që kishte shumë autoritet sidomos tek qendra e të majtës evropiane”, tha eksperti.
Sipas Kullës, në këtë proces lobuan përfaqësues të një sërë shtetesh që, sipas tij, nuk e kanë dashur shtetin e Kosovës, ndërsa theksoi se pas kësaj qëndronte Beogradi.
“Ata që e kanë lobuar kanë qenë në Këshill të Evropës, deputetë dhe senatorë të gjysmës së Evropës, përfshij këtu Rusinë, Bjellorusinë, pastaj dhe Ukrainën, Rumaninë, të gjithë ata që nuk e kanë dashur zhbërjen e shtetit të Kosovës. Sigurisht që regjia qëndronte në Beograd”, shtoi Kulla.
Ai theksoi se në këtë histori pati përgjegjësi edhe klasa politike shqiptare në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, e cila, sipas tij, nuk arriti të kuptonte dhe të konsolidonte pozicionin historik që shqiptarët kishin arritur pas luftës së Kosovës.
“Paaftësia e klasës politike në Tiranë, në Shkup edhe në Prishtinë për të mos kuptuar që mali i suksesit ku kishin mbërritur çështja shqiptare si asnjëherë tjetër, që nga themelimi i pavarësisë shqiptare në 1912-ën… pra shqiptarët që rrezikoheshin të ngeleshin pa shtet në 1912-ën ose me një shtet shumë të vogël nga rripi i Gazës, nga Durrësi deri në Vlorë, bënë një shtet që mbijetoi për shkak të diktaturës dhe luftës, dy luftërave botërore deri në 1990-ën dhe nga ’90-a deri kur filloi lufta e Kosovës ishin një shtet vazhdimisht i destabilizuar dhe me luftë civile madje në ’97-ën. Kështu që nga momenti që ishim po zhbëheshim si shtet edhe ne, për dy vjet shqiptarët… ishte një mrekulli historike. Për tre vjet u bënë me dy shtete e gjysmë. Në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në aleancë të qartë me Bashkimin Evropian dhe me SHBA-në e NATO-n”, tha ai.
“Këta janë publikë, nuk do rri të bëj debat tani, janë të të gjitha krahëve. Unë po të them vetëm një gjë. Miku im, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ka qenë në Këshillin e Evropës që ka kundërshtuar si deputet zotin Dick Marty dhe të tjerët, pikërisht për ngritjen e gjykatës speciale. Të gjitha mediat e izoluan dhe filluan ta kritikonin sikur ky ishte nacionalist, sepse mbas kësaj do na hapte çështjen çame, ndërkohë që ai ishte një njeri shumë racional, dhe madje i ka thënë Dick Marty-t unë nuk kam marrë para, e keni gjallë Shpëtim Idrizin mund ta pyesni. Dhe, dhe, ai i ka thënë atëherë: Akoma më keq, e paske bërë dhe pa para”, tha Kulla.
Në përfundim, Eksperit e cilësoi të gjithë historinë “të turpshme” dhe “të hidhur”, ndërsa argumentoi se çështjet për të cilat u zhvillua procesi mund të ishin trajtuar nga institucionet vendase të drejtësisë.
“Kjo është një histori e turpshme, e hidhur, si përgjegjësinë ta përsëris edhe një herë, e kanë ata që duhet të kishin bërë shtetet sepse të gjitha ato çështje të cilat u gjykuan dhe për të cilat u dënuan këta njerëz, mund të ishin gjykuar dhe mund të ishin dënuar nga gjykatat lokale, nga prokuroritë lokale, pa më të voglin shqetësim. Prokuroritë dhe gjykatat në Kosovë dhe në Shqipëri mund t’i kishin mbyllur këto çështje dhe s’do kishte pasur nevojë asnjë ditë që t’i lihej justifikim Serbisë dhe aleatëve të Serbisë që punojnë çdo ditë për zhbërjen e shtetit të Kosovës, e kanë të shkruar në preambulën e Kushtetutës. Por, e çuam punën deri këtu dhe tani bëjnë qajnë me lot krokodili, po kjo punë s’ka më vlerë, kjo punë ka ikur”, përfundoi Kulla.
Ai tha se vendimi i Hagës nuk ishte i papritur për të. Ai tregoi se kishte folur për një përfundim të tillë edhe një natë më parë në Prishtinë, ndërsa argumentoi se mënyra si ishte ndërtuar procesi dhe trajtimi i katër ish-krerëve të UÇK-së në paraburgim i kishin krijuar bindjen se drejtimi ishte përcaktuar prej kohësh.
“Ishte diçka që unë e prisja. Edhe parmbrëmë në Prishtinë me disa miq, edhe në emisionin ‘Matrix’ në TV1 në Kosovë, dhashë një koment pak a shumë të ngjashëm. Me disa miq e shokë, ish-anëtarë të UÇK-së, njerëz shumë të afërt, me të cilët kemi komunikuar, mënyra se si u ndërtua e gjithë kjo gjë, mënyra se si u vazhdua, edhe sjellja atipike e drejtësisë në raport me paraburgimin e katër zotërinjve që u dënuan, të çonte drejt kësaj”, tha Kulla.
Ai u ndal veçanërisht te Jakup Krasniqi, duke përmendur moshën dhe problemet e tij shëndetësore, por edhe te rastet e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit gjatë viteve të paraburgimit.
“Në mënyrë të veçantë me Jakup Krasniqin, që është një burrë i moshuar edhe i sëmurë, duke i refuzuar çfarëdo lloj forme të ndryshimit të paraburgimit, qoftë edhe atë shëndetësor për shkak të moshës ose për shkak të trajtimeve mjekësore. Apo ajo që i ndodhi presidentit Thaçi në rastin e sëmundjes dhe të vdekjes së babait të tij, apo ajo e zotit Veseli. E bënte të qartë që, që në fillim, e gjithë struktura e kishte ndarë mendjen që këta njerëz do të bëheshin shembull”, u shpreh ai.