Shkrime
Djalli ka dalë nga shishja/ Analisti godet reformën në drejtësi: Kemi ndërtuar një mekanizëm diabolik
Debati për rritjen e pagave të magjistratëve nuk duhet parë vetëm si një përplasje për shifrat, por si një problem më i thellë në raportet mes sistemit të drejtësisë dhe pjesës tjetër të shtetit. Kështu argumenton analisti Skënder Minxhozi, i cili ka reaguar për debatin e fundit mbi pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Sipas Minxhozit, diskutimi publik është përqendruar te pyetja nëse magjistratët duhet të marrin rreth 10 mijë euro në muaj, ndërkohë që aktualisht pagat e tyre janë disa mijëra euro më të ulëta.
“Po bëhet një gabim madhor në debatin mbi pagat e magjistratëve këto orë”, shkruan Minxhozi, duke argumentuar se vëmendja është zhvendosur te pasoja dhe jo te shkaku.
Ai e konsideron këtë një përplasje më të gjerë mes sistemit të drejtësisë dhe pjesës tjetër të institucioneve shtetërore.
“Nuk kemi një sherr institucionesh për një tabelë pagash, kemi përplasjen e radhës mes kastës së drejtësisë që vijon të konsiderohet ‘e re’ dhe pjesës tjetër të shtetit”, shprehet ai.
Minxhozi kritikon ashpër mënyrën se si, sipas tij, është konsoliduar sistemi i drejtësisë gjatë dekadës së fundit. Ai e përshkruan atë si një strukturë që ka fituar një ndjenjë të fortë paprekshmërie dhe autonomie ndaj institucioneve të tjera.
“Drejtësia e sotme i ngjan vërtet një sektori ultrasish në një stadium futbolli. Por i ngjan edhe një lozhe të fortësh që ndjehen të paprekshëm teksa rrinë në qoshen e tyre”, shkruan analisti.
Sipas tij, kjo situatë është favorizuar edhe nga dobësia e mekanizmave institucionalë që duhet të garantojnë llogaridhënien e sistemit.
Minxhozi përmend në analizën e tij KLGJ-në, KLP-në dhe ILD-në, duke i kritikuar për mënyrën se si kanë funksionuar gjatë viteve të reformës në drejtësi.
“KLGJ e KLP janë një teatër banal kukullash, ku ILD hesht si një murg i trembur në një cep dhe institucionet e tjera praktikisht vetëm ngrenë dorën kur i kërkohet të votojnë”, shprehet ai.
Ai kritikon gjithashtu mënyrën e funksionimit të institucioneve të drejtësisë dhe raportin e tyre me median dhe publikun, duke ngritur pikëpyetje edhe mbi mënyrën se si zhvillohen proceset gjyqësore.
Në një tjetër pjesë të shkrimit, Minxhozi ngre shqetësimin për numrin e dosjeve të pagjykuara dhe mënyrën se si po zhvillohen disa prej çështjeve më të bujshme të viteve të fundit.
“Mali i dosjeve të pagjykuara është bërë më i lartë në dhjetë vitet e fundit”, shkruan ai, duke shtuar se disa procese të bujshme publike janë kthyer, sipas tij, në një betejë për “audiencën dhe famën e prokurorëve”.
Në analizën e tij, Minxhozi shkon edhe më tej, duke vënë në pikëpyetje bilancin e reformës në drejtësi pas një dekade.
“Drejtësia e re, ashtu si e vjetra, nuk ka kohë për to”, shkruan ai, duke iu referuar çështjeve të vjetra dhe dosjeve që ende presin drejtësi.
Sipas Minxhozit, reforma nuk ka arritur të eliminojë problemet që synonte të zgjidhte.
“Në dhjetë vjet reformë korrupsioni s’ka ndalur dhe drejtësia s’i ka shëruar plagët e saj”, argumenton ai.
Në përfundim, analisti e lidh situatën aktuale edhe me përgjegjësinë e mazhorancës socialiste, e cila, sipas tij, po përballet me pasojat e reformës së ndërmarrë një dekadë më parë.
“Maxhoranca nga ana e saj merr leksionin e radhës për reformën e pamenduar dhe aventureske që ndërmori një dekadë më parë”, shkruan Minxhozi, duke e cilësuar atë “një fiasko të madhe” që socialistët, sipas tij, po e pranojnë gradualisht.