Politike
82 VJEÇ, POR NUK MENDON PER TËRHEQJE/ BERISHA: JAM SI 20 VITE MË PARË
Sali Berisha nuk mendon për tërheqjen nga politika.
Në një deklaratë për të ardhmen e tij politike, kryetari i Partisë Demokratike tha se mosha nuk e pengon të vijojë të ushtrojë detyrën dhe se aktualisht e konsideron veten plotësisht të aftë për të drejtuar.
Berisha, i cili është 82 vjeç, u shpreh se nuk sheh arsye për t’u larguar nga politika dhe se energjia me të cilën i përgjigjet sot detyrës është e njëjtë me atë të viteve të mëparshme.
Duke iu referuar mundësisë së një angazhimi politik edhe në zgjedhjet e vitit 2029, Berisha solli si shembull ish-kancelarin gjerman Konrad Adenauer, i cili qëndroi në drejtimin e Gjermanisë deri në moshë të avancuar.
Por Berisha la të hapur mundësinë e tërheqjes në rast se një ditë do të vlerësonte se nuk mund t’i përgjigjej më detyrës për shkak të moshës apo gjendjes shëndetësore.
“Atë ditë që ta shoh se për arsye moshe apo sëmundjeje nuk i përgjigjem dot detyrës, unë do them…”, deklaroi kreu i PD.
Ndërsa për gjendjen e tij aktuale, përgjigjja e Berishes ishte e prerë:
“100%, pa asnjë lloj vështirësie. Absolutisht, pa asnjë dallim, me atë energji dhe forcë që i jam përgjigjur 20 vite më parë.” – deklaroi ai.
Deklarata e Berishës e vendos të ardhmen e tij politike në qendër të diskutimit për drejtimin e opozitës dhe strategjinë e Partisë Demokratike në vitet që vijnë.