Aktualitet
Pas investimit 107 milionë lekë, kufizohet qarkullimi mbi Urën e Matit
Ura mbi lumin Mat, në aksin nacional Lezhë-Milot, është vendosur nën kufizim për automjetet me tonazh të rëndë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, ka vendosur barriera betoni në të dyja anët e urës, duke ndaluar kalimin e mjeteve që tejkalojnë peshën e lejuar prej 13 tonësh.
Masa është marrë pas ndërhyrjes emergjente të kryer disa muaj më parë për përforcimin e themeleve të urës. Sipas autoriteteve, pavarësisht sinjalistikës së vendosur, monitorimet në terren kanë evidentuar shkelje të përsëritura nga automjetet e rënda.
Nga ana tjetër, drejtues të mjeteve shprehen se ura vijon të ketë probleme dhe kanë ngritur dyshime lidhur me cilësinë e investimit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar sqaron se kufizimi nuk është vendosur për shkak të ndonjë çedimi apo dëmtimi të strukturës, por si masë parandaluese, me qëllim mbrojtjen e ndërhyrjes së kryer në themele dhe garantimin e qëndrueshmërisë së urës në afat të gjatë.
Ura e Matit ka një gjatësi prej rreth 844 metrash. Për rikonstruksionin dhe përforcimin e saj është akorduar një fond emergjent prej 107 milionë lekësh të reja, ndërsa punimet kanë zgjatur rreth 8 muaj.