Kronike
Atentati në Sarandë/ Viktima njihej me emrin “Tani Ruzhdiut”, saga e hakmarrjes
Artan Murtaj, i njohur në Sarandë edhe me nofkën “Tani Ruzhdiut”, është 44-vjeçari që u vra me armë zjarri në qendër të qytetit.
Atentati dyshohet se është kryer nga dy persona të maskuar, të cilët lëviznin me motor. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit, i identifikuar si Xhevdet Skëndaj.
Murtaj rezulton i përfshirë në një ngjarje të rëndë të regjistruar më 17 korrik 2025, në lagjen nr. 4 të Sarandës, ku u plagosën me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj, me origjinë nga Kamza.
Sipas hetimeve për atë ngjarje, autor i plagosjes ishte Ramadan Zoto, ndërsa Artan Murtaj, Klaus Jaçaj dhe Erjon Canaj dyshohej se e kishin ndihmuar Zoton gjatë ngjarjes dhe në largimin e tij.
Pas kësaj ngjarjeje, në Sarandë u regjistruan edhe episode të tjera të dhunshme, të cilat u lidhën nga autoritetet me një konflikt të mëtejshëm mes personave të përfshirë. Në një prej tyre, u vra me tritol Isuf Jaçaj, babai i Klaus Jaçajt. Po ashtu, u raportua edhe një rast i dëmtimit të pronës së Ramadan Zotos.
Për plagosjen e Lamës dhe Hajdarajt, aktualisht ndodhet në burg Ramadan Zoto. Artan Murtaj dhe Klaus Jaçaj, të cilët ishin nën akuzën për “përkrahje të autorit të krimit”, ishin liruar pak kohë më parë.
Ndërkohë, sipas informacionit të raportuar, Erjon Canaj vijon të jetë në kërkim.
Murtaj kishte gjithashtu precedentë të mëparshëm penalë. Ai rezulton të ishte dënuar më parë për veprën penale të “vjedhjes”, ndërsa në dosjet e mëparshme policore ishte referuar edhe si përdorues i lëndëve narkotike.
Tashmë, policia po heton vrasjen e tij dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e dy autorëve të dyshuar të atentatit. Ende nuk është bërë publik motivi zyrtar i ekzekutimit.