Thinking ...
Connect with us

Kronike

Sapo ishte ulur për kafe, autorët i dolën përpara dhe e qëlluan: si u ekzekutua Artan Murtaj

Detaje të reja dalin nga atentati që tronditi sot Sarandën, ku u vra 44-vjeçari Artan Murtaj, i njohur edhe si “Tani Ruzhdiut”.

Sipas të dhënave paraprake nga hetimi, Murtaj sapo ishte ulur për kafe në një lokal pranë kryqëzimit të ish-agjencisë, në një nga zonat qendrore të qytetit.

Dy autorët dyshohet se kanë ardhur nga rruga “Lefter Talo” dhe i janë afruar 44-vjeçarit. Ata kanë qëlluar të paktën dy herë me armë zjarri.

Në momentin kur ka pikasur autorët, Murtaj dyshohet se ka tentuar të largohet me vrap në drejtim të rrugës “Vangjel Pandi”. Megjithatë, të shtënat kanë vazhduar dhe 44-vjeçari është rrëzuar i pajetë në mes të rrugës.

Dyshohet se të dy autorët kanë përdorur armë zjarri. Pas atentatit, ata janë larguar me motor, ndërsa policia ka ngritur pika kontrolli në akset që lidhin Sarandën me Vlorën dhe Gjirokastrën.

Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe Xhevdet Skëndaj, 73 vjeç, i cili ndodhej rastësisht në zonë dhe u godit nga një plumb rikoshetë. Ai është transportuar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.

Artan Murtaj kishte precedentë penalë dhe ishte përfshirë në një ngjarje të rëndë në Sarandë në korrik të vitit 2025.

17 korrik 2025, në lagjen nr. 4 të Sarandës, u plagosën me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj nga Kamza. Sipas hetimeve për atë ngjarje, autor i plagosjes dyshohet se ishte Ramadan Zoto, ndërsa Murtaj, Klaus Jaçaj dhe Erjon Canaj dyshohej se e kishin ndihmuar atë gjatë ngjarjes dhe arratisjes.

Pas kësaj ngjarjeje, në Sarandë u regjistruan edhe episode të tjera të dhunshme. Mes tyre ishte vrasja me tritol e Isuf Jaçajt, babait të Klaus Jaçajt, si dhe një rast i shkatërrimit të pronës së Ramadan Zotos.

Për plagosjen e Lamës dhe Hajdarajt, Ramadan Zoto ndodhet në burg. Murtaj dhe Klaus Jaçaj, të akuzuar për “përkrahje të autorit të krimit”, ishin liruar pak kohë më parë, ndërsa Erjon Canaj vijon të jetë në kërkim, sipas informacionit të raportuar.

Murtaj rezulton gjithashtu të ketë qenë i dënuar më parë për “vjedhje”.

Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për të zbardhur motivin e atentatit, identifikuar autorët dhe përcaktuar nëse vrasja lidhet me konfliktet e mëparshme

Advertisement