Thinking ...
Connect with us

Politike

Dera e BE-së hapet për Shqipërinë/ Ja çfarë tha numri dy i Komisionit Evropian për zgjerimin

Shqipëria dhe Mali i Zi janë ndër vendet që po avancojnë në procesin e integrimit evropian. Kështu u shpreh zv.presidenti ekzekutiv i Komisionit Evropian, Raffaele Fitto, gjatë një aktiviteti në Lecce, ku në fokus ishte zgjerimi i Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor.

Fitto vuri në dukje bashkëpunimin ndërkufitar mes Italisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke përmendur programet Interreg si një nga instrumentet e bashkëpunimit mes vendeve.

“Shqipëria dhe Mali i Zi ndodhen padyshim në një fazë shumë të avancuar sa u përket rezultateve të arritura për t’u anëtarësuar së shpejti në familjen evropiane”, deklaroi Fitto.

Sipas tij, zgjerimi është një çështje me rëndësi strategjike për të ardhmen e Bashkimit Evropian. Fitto argumentoi se një Europë me 27 vende nuk është më e mjaftueshme përballë zhvillimeve dhe konkurrencës globale.

“Zgjerimi është një element konsolidimi dhe forcim i projektit evropian”, u shpreh ai, duke iu referuar edhe konkurrencës globale me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën.

Aktiviteti në Lecce u zhvillua më 18 shtator dhe u organizua nga Përfaqësia e Komisionit Evropian në Itali, Bashkia e Lecce-s dhe Agjencia për Trashëgiminë Kulturore Euro-Mesdhetare, me mbështetjen e Europe Direct. Në fokus ishte procesi i zgjerimit të BE-së, si dhe mundësitë që ai krijon për qytetarët, bizneset dhe territoret.

Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, Shqipëria, Italia dhe Mali i Zi marrin pjesë në programin Interreg IPA Adriatiku Jugor 2021–2027, i cili mbështet projekte në fusha si zhvillimi rajonal, inovacioni, mjedisi dhe qeverisja.

Ndërkohë, në aktivitet u përcoll edhe objektivi i Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Qeveria shqiptare ka deklaruar se synon të përmbyllë negociatat e anëtarësimit dhe të vijojë zbatimin e reformave të nevojshme për procesin e integrimit. Komisioni Evropian konfirmon se Shqipëria ka hapur tashmë negociatat në të gjitha 33 kapitujt e procesit të anëtarësimit.

Advertisement