Thinking ...
Connect with us

Politike

Europa i hap krahët Shqipërisë, por nga Brukseli vjen edhe një apeli i fortë për qytetarët 

Parlamenti Europian shpreh mbështetjen për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, por paralelisht kërkon që ky proces të mos mbetet vetëm në duart e institucioneve dhe politikës.

Në një videomesazh, eurodeputeti slloven Matjaz Nemec, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, e cilësoi integrimin e Shqipërisë si një përgjegjësi të përbashkët të institucioneve europiane dhe shoqërisë shqiptare. Ai apeloi që qytetarët të kenë një rol më të madh në këtë proces.

“Zgjerimi i BE-së është një përpjekje e përbashkët. Rruga e Shqipërisë drejt BE-së është një përgjegjësi e përbashkët. Parlamenti Europian qëndron përkrah jush në këtë rrugëtim”, deklaroi Nemec.

Sipas tij, integrimi europian nuk duhet të shihet thjesht si një proces politik apo institucional, pasi në qendër të tij duhet të jenë zërat, aspiratat dhe shqetësimet e qytetarëve shqiptarë.

Edhe për përfaqësuesin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Andre Rizzo, objektivi i vendit për përfundimin e negociatave në vitin 2027 është ambicioz, por kërkon vijimin e reformave.

Rizzo theksoi se Shqipëria ka avancuar në procesin e negociatave, duke nisur tashmë edhe mbylljen e grup-kapitujve, por nënvizoi se pjesa më e rëndësishme e rrugëtimit mbetet zbatimi i reformave dhe ndikimi i tyre tek qytetarët.

Në këtë linjë, nënkryetarja e re e Kuvendit, Evis Kushi, garantoi se përfshirja e qytetarëve në dialogun politik do të nisë pikërisht nga Parlamenti.

Ajo deklaroi se Kuvendi synon të shndërrohet në një hapësirë dialogu dhe përfaqësimi, ku qytetarët të dëgjohen dhe të marrin pjesë në proceset që lidhen me të ardhmen europiane të vendit.

Forumi Qytetar “Shqipëria dhe e Ardhmja e Evropës – Qytetarët në Qendër të Zgjerimit të BE-së” u organizua nga Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me Parlamentin Europian.

Në fokus të nismës është përfshirja e zërit të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.

Advertisement