✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

NGA BRUKSELI VJEN SINJAL I MIRE PER SHQIPERINE

Shqipëria mund të zhvillojë një tjetër Konferencë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian në muajt e vjeshtës. Sinjali vjen nga Brukseli, ku po vijon puna teknike për përgatitjen e kapitujve të tjerë të negociatave për mbyllje provizore.

Një zyrtar evropian me njohuri mbi procesin e zgjerimit tha se, nëse ritmi i punës dhe dakordësia mes vendeve anëtare vazhdojnë, një konferencë e re në tetor ose nëntor nuk përjashtohet.

“Në rast se do të ketë progres gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm dhe arrihet një marrëveshje në COELA dhe COREPER për pozicionet përkatëse të përbashkëta të BE-së, nuk mund të përjashtohen Konferenca Ndërqeveritare në tetor ose nëntor”, tha zyrtari.

Megjithatë, Brukseli nuk e konsideron ende të vendosur një datë të re. Çdo hap i mëtejshëm do të varet nga progresi teknik dhe, mbi të gjitha, nga konsensusi i vendeve anëtare për Pozicionet e Përbashkëta të BE-së.

Shqipëria mbylli provizorisht në korrik tre kapituj të negociatave: Kapitullin 25 për Shkencën dhe Kërkimin, Kapitullin 26 për Arsimin dhe Kulturën dhe Kapitullin 30 për Marrëdhëniet me Jashtë.

Sipas zyrtarit evropian, puna teknike do të vijojë me synimin për të përgatitur kapituj shtesë për mbyllje provizore. Në këtë kuadër, një nga dosjet që mund të marrë vëmendje është Kapitulli 20 për Ndërmarrjet dhe Politikën Industriale.

Kjo do të thotë se procesi i negociatave nuk ndalet me tre kapitujt e mbyllur gjatë verës, por hyn në një fazë ku ritmi i përgatitjeve teknike do të jetë përcaktues për hapat e ardhshëm.

Pavarësisht sinjalit pozitiv nga Brukseli, një Konferencë Ndërqeveritare në tetor ose nëntor nuk është ende një vendim i marrë.

Advertisement