Politike
Brukseli lëviz për zgjerimin e Unionit Europian, ja çfarë pritet për Shqipërinë
Muajt e ardhshëm pritet të jenë intensivë për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, me Brukselin që do të përqendrojë vëmendjen te Ukraina, Moldavia dhe Mali i Zi, ndërsa Shqipëria pritet të vijojë negociatat pa ndryshime të mëdha në ritmin e parashikuar.
Sipas një zyrtari evropian me njohuri mbi procesin e zgjerimit, fokusi politik në javët e ardhshme do të jetë te përpjekjet për zhbllokimin e grupkapitujve të mbetur për Ukrainën dhe Moldavinë. Paralelisht, Mali i Zi pritet të përshpejtojë negociatat, me synimin për të mbyllur kapitujt e mbetur deri në fund të vitit.
Tetori mund të sjellë zhvillime të rëndësishme, pasi nuk përjashtohet zhvillimi i Konferencave Ndërqeveritare me Ukrainën dhe Moldavinë në kuadër të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në Luksemburg.
Ndërkohë, edhe Mali i Zi mund të bëjë hapa të rinj në ditët e ardhshme, pasi po shqyrtohet mundësia e zhvillimit të një Konference Ndërqeveritare me Podgoricën më 22 shtator, megjithëse data ende nuk është konfirmuar.
Për Shqipërinë, situata mbetet më e qëndrueshme. Pas mbylljes provizore në korrik të tre kapitujve të parë, puna teknike vijon dhe nga Brukseli nuk sinjalizohet ndonjë ndryshim i rëndësishëm në ritmin e negociatave.
Në këtë panoramë, vjeshta pritet të jetë e ngjeshur për politikën e zgjerimit të BE-së, me Ukrainën dhe Moldavinë në fokusin e zhbllokimit të negociatave, Malin e Zi në përpjekje për përshpejtim, ndërsa Shqipëria vijon procesin e integrimit sipas planit të parashikuar.