Aktualitet
REFORMA TERRITORIALE/ Mati voton pro bashkimit me Klosin
Këshilli Bashkiak i Matit ka miratuar me shumicë votash qëndrimin pro bashkimit të Bashkisë Mat me Bashkinë Klos, në kuadër të projektit për reformën e re administrative territoriale.
Pas përfundimit të dëgjesave publike në 8 njësitë administrative, Këshilli Bashkiak zhvilloi këtë të hënë një mbledhje jashtë radhe, ku një nga çështjet kryesore ishte projekt-drafti i reformës administrative territoriale 2.0, i propozuar nga mazhoranca.
Në mbledhje ishin të pranishëm 20 nga 21 këshilltarët bashkiakë. Sipas projektit, Bashkia Klos nuk do të vijojë të jetë një njësi më vete e vetëqeverisjes vendore, por do t’i bashkohet Bashkisë Mat.
Pas diskutimeve mes këshilltarëve, propozimi u hodh në votim. 14 këshilltarë votuan pro, 5 kundër dhe një këshilltar abstenoi.
Qëndrimi i Këshillit Bashkiak dhe i kryetarit të Bashkisë Mat do t’i përcillet Kuvendit, si pjesë e procesit të konsultimit për reformën territoriale.
Drafti final pritet të shqyrtohet dhe të hidhet në votim në Kuvend më 8 tetor.