Politike
Konsullatë shqiptare në Miçigan/ Rama: Shqipëria duhet të jetë pranë Diasporës
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar hapjen së shpejti të një konsullate shqiptare në Miçigan, gjatë një takimi me komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara.
Rama tha se vendimi vjen pas një kërkese të komunitetit shqiptar në këtë shtet dhe se konsullata synon të krijojë një pikë të drejtpërdrejtë kontakti për shërbimet dhe çështjet konsullore.
“Shqipëria duhet të jetë pranë jush kur ju keni nevojë për të dhe Shqipëria ta ketë një derë këtu, ku ju të trokisni për të gjitha çështjet konsullore”, u shpreh Rama, duke e konsideruar hapjen e konsullatës si një vendim të merituar për komunitetin shqiptar.
Në fjalën e tij, kryeministri u ndal edhe te roli i Diasporës dhe kontributi i saj ndër vite. Ai tha se emigrantët shqiptarë kanë mbështetur familjet në Shqipëri përmes dërgesave financiare, duke i lidhur këto kontribute me arsimimin, shëndetësinë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.
Rama deklaroi gjithashtu se gjatë viteve të fundit janë krijuar mekanizma të rinj për forcimin e lidhjeve mes Diasporës dhe institucioneve shqiptare, duke përmendur edhe shërbimet përmes platformës e-Albania.
Sipas kryeministrit, synimi duhet të jetë kalimi nga një marrëdhënie e bazuar kryesisht te lidhjet familjare dhe nostalgjia, drejt një angazhimi më të gjerë të Diasporës përmes eksperiencës, rrjeteve profesionale dhe kontributit qytetar.
Rama përmendi edhe votën e Diasporës në zgjedhjet parlamentare, duke theksuar se në zgjedhjet e fundit shqiptarët jashtë vendit patën për herë të parë mundësinë të votojnë nga jashtë Shqipërisë.