Aktualitet
FURTUNË NË POLICI/ SPAK zgjeron hetimin, në pranga shefi i Laboratorit Shkencor
Operacioni i SPAK në kuadër të hetimeve që lidhen me biznesmenin Ergys Agasi është zgjeruar edhe në strukturat e kriminalistikës së Policisë së Shtetit.
Përveç masave të sigurisë ndaj drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, dhe kontrolleve ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, hetimi ka prekur edhe ekspertët kriminalistikë.
Sipas të dhënave të raportuara, GJKKO ka vendosur masa sigurie ndaj dy ekspertëve të Policisë së Shtetit, njëri me detyrë në Tiranë dhe tjetri në Durrës.
Në pranga ka rënë Fatjon Kalluci, shefi i Laboratorit Shkencor të Policisë, ndërsa është arrestuar edhe një biznesmen. Po ashtu, raportimet flasin për masa sigurie edhe ndaj punonjësve të tjerë të Policisë.
Embro Sulejmani, është biznesmeni durrsak i cili njihet si administratori i agroturizmit “Kodra e Kuajve”, ky i fundit u prangos këtë të martë në kuadër të hetimeve për dosjen e cila njihet tanimë si afera e AKSHI-t.
Sulejmani u arrestua me urdhër të SPAK, kërkesë e cila është miratuar pasditen e djeshme nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Përpos banesës së Ilir Prodës dhe Vlora Hysenit, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar kontrolle në disa banesa, si në Tiranë, po ashtu edhe në zonën e Shkozetit.
Dy prokurorët Bledar Maksuti dhe Altin Dumani kanë kërkuar një sërë masash sigurie, për zyrtarë e ish-zyrtarë, përfshirë dhe njerëz të Policisë së Shtetit.
Zhvillimet janë pjesë e të njëjtit operacion të SPAK, i cili është shtrirë në disa hallka të strukturave shtetërore. Në fokus është një fraksion i ri i hetimit që lidhet me dosjen ndaj Ergys Agasit dhe materialet e administruara gjatë hetimeve për çështjen e AKSHI-t.
Në të njëjtën kohë, BKH ka kryer kontrolle në banesën e ish-kreut të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Sipas raportimeve, gjatë kontrollit, të kryer me autorizim të GJKKO-së, janë sekuestruar telefoni i Prodës, një laptop, pajisje USB dhe CD.
Pak orë pas kontrollit në banesë, Ilir Proda është paraqitur në SPAK, ku raportohet se është marrë në pyetje nga hetuesit. Deri tani nuk është bërë publike përmbajtja e dëshmisë së tij apo roli konkret që dyshohet se mund të ketë në këtë linjë hetimi.
Në qendër të zhvillimeve është edhe drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës GJKKO ka caktuar masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra. Sipas raportimeve, Hyseni dyshohet për vepra penale që lidhen me përkrahjen e autorit të krimit dhe zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete.
Operacioni tashmë prek disa nivele të strukturave të sigurisë, nga inteligjenca dhe drejtimi i Policisë së Shtetit, deri te strukturat e kriminalistikës dhe ekspertizës shkencore.
SPAK nuk ka bërë ende publike të gjitha detajet e këtij fraksioni të hetimit dhe provat konkrete që kanë çuar në masat e sigurisë. Pritet që në vijim të zbardhen më shumë të dhëna mbi rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe lidhjen e tyre me hetimin ndaj Ergys Agasit.
Të gjithë personat ndaj të cilëve janë caktuar masa sigurie gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.