Aktualitet
PO SIKUR VLORA TE MBETET NE AZERBAJXHAN/ Klodiana Lala: Çfarë ndodh nëse Hyseni nuk kthehet në Shqipëri
Drejtorja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ka mësuar për masën e sigurisë të vendosur ndaj saj nga GJKKO, me kërkesë të SPAK, ndërsa ndodhet në Azerbajxhan.
Sipas raportimeve, ndaj Hysenit është caktuar masa “arrest në shtëpi”, ndërsa dyshimet e ngritura nga organi i akuzës lidhen me veprat penale “përkrahja e autorit të krimit” dhe “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Në kuadër të hetimit, ajo dyshohet se ka favorizuar biznesmenin Ergys Agasi, i cili është gjithashtu pjesë e një tjetër hetimi të SPAK.
Pyetja që mbetet tashmë është nëse Vlora Hyseni do të rikthehet në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë dhe çfarë procedure do të ndiqet nëse ajo vendos të qëndrojë jashtë vendit.
Gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar se, nëse Hyseni nuk paraqitet dhe nuk ekzekutohet masa brenda afatit procedural, pas kalimit të afatit 30-ditor mund të nisë procedura për shpalljen e saj në kërkim, përfshirë edhe atë ndërkombëtar, në varësi të vendimeve të organeve kompetente.
Hetimi lidhet me dosjen e njohur publikisht si “AKSHI”, ku SPAK ka ngritur dyshime për një skemë të organizuar që lidhet me ndërhyrje në procedurat e prokurimeve publike. Megjithatë, detajet e plota mbi provat dhe rolin konkret që i atribuohet secilit person në këtë dosje nuk janë bërë të gjitha publike.
Masa ndaj drejtueses së SHISH përbën një zhvillim të pazakontë për një funksion të këtij niveli dhe e zgjeron hetimin drejt strukturave të larta të sigurisë së shtetit. Deri tani, nuk ka pasur një reagim zyrtar të bërë publik nga Shërbimi Informativ i Shtetit lidhur me masën e sigurisë ndaj drejtoreshës së institucionit.