Aktualitet
“Dosje shumë e madhe”/ Artan Hoxha: Telefonat zbuluan hetimin ndaj kreut të SHISH…
Gazetari Artan Hoxha ka komentuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke e cilësuar çështjen si një hetim me përmasa të mëdha.
Hoxha tha se hetimi mund të jetë vetëm në fazat e para dhe u bëri thirrje prokurorëve që të vijojnë më tej me verifikimet.
“Unë mendoj se kjo është një dosje shumë e madhe. Është thjesht një moment ku është futur dora, për shkak të telefonave”, u shpreh ai.
Gazetari u ndal edhe te karriera e Hysenit para emërimit në krye të SHISH. Sipas tij, ajo kishte shërbyer më parë në strukturat e inteligjencës së Kosovës dhe më pas si këshilltare për sigurinë kombëtare e kryeministrit Edi Rama. Në vitin 2023, Hyseni u propozua për drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit.
Hoxha tha se pozicioni i saj merr rëndësi të veçantë edhe për shkak të rolit të SHISH në bashkëpunimin me shërbimet partnere të vendeve anëtare të NATO-s.
“Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe shërbimi sekret është i rëndësishëm, ndërvepron dhe kryen operacione të përbashkëta”, deklaroi gazetari.
Duke komentuar faktin që masa e sigurisë u raportua ndërsa Hyseni ndodhej jashtë vendit, në Azerbajxhan, Hoxha tha se sipas tij vendimi mund të jetë marrë më herët, ndërsa “arresti në shtëpi” e cilësoi si një masë lehtësuese në raport me arrestin në burg.
I pyetur nëse Hyseni do të kthehet në Shqipëri, Hoxha tha se beson se ajo do të rikthehet, ndërsa theksoi se nuk ka informacion të plotë mbi nivelin e provave në dosje.
Në përfundim, gazetari u bëri thirrje prokurorëve që të thellojnë hetimet për të përcaktuar shtrirjen e dyshuar të korrupsionit dhe përgjegjësitë konkrete të personave të përfshirë.