Bota
Trump kundër mediave, Shtëpia e Bardhë lançon “Trump TV”, nis transmetimin 24 orë
Përplasja mes presidentit amerikan Donald Trump dhe mediave amerikane është përshkallëzuar pas një vendimi të rrjeteve televizive për të pezulluar mbulimin e përbashkët të aktiviteteve presidenciale. Në këtë klimë, Shtëpia e Bardhë ka nisur transmetimin online 24 orë në ditë të quajtur “Trump TV”.
Platforma nisi transmetimin të hënën në mbrëmje dhe, sipas Shtëpisë së Bardhë, do të përfshijë momente nga aktivitetet e mëparshme të presidentit, njoftime dhe zhvillime të fundit nga administrata. Transmetimi i parë ishte një fjalim i Trump i mbajtur më 3 korrik në malin Rushmore.
Nisma erdhi pasi ABC, CBS, NBC, Fox News dhe CNN, pjesë e grupit televiziv që mbulon aktivitetet e Shtëpisë së Bardhë, pezulluan mbulimin e përbashkët pas kufizimit të aksesit të CNN, MS NOW dhe Politico në ambientet presidenciale.
Në një deklaratë të përbashkët, rrjetet thanë se publiku ka interes për të marrë informacion të saktë dhe të pavarur mbi aktivitetet e qeverisë dhe kundërshtuan kufizimin e një organizate mediatike për shkak të raportimit të saj.
Përplasja ka kaluar edhe në gjykata. CNN, MS NOW dhe Politico kanë paditur Trump dhe zyrtarë të administratës, duke kërkuar rikthimin e aksesit të tyre në Shtëpinë e Bardhë. Organizatat pretendojnë se kufizimi cenon të drejtat e tyre të mbrojtura nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane.
Ndërkohë, The New York Times dhe The Washington Post iu bashkuan reagimit të mediave duke vendosur të mos publikojnë përkohësisht fotografi të presidentit të realizuara nga fotografët e tyre.
Shtëpia e Bardhë vijoi transmetimin e aktiviteteve të Trump përmes kanaleve të saj. Megjithatë, mungesa e ekipit të zakonshëm televiziv solli vështirësi në mbulimin e disa aktiviteteve. Gjatë një prej tyre, zhurma e helikopterit Marine One bëri që deklaratat e presidentit të dëgjoheshin me vështirësi në transmetimin e siguruar nga administrata.
Trump ka mbrojtur vendimin e Shtëpisë së Bardhë dhe ka kritikuar mediat që ai i konsideron “lajme të rreme”, duke argumentuar se ato nuk duhet të kenë akses në ambientet presidenciale.
Seanca e parë gjyqësore për padinë e CNN, MS NOW dhe Politico është planifikuar për të mërkurën përpara gjykatësit federal Timothy Kelly. Çështja pritet të përqendrohet te kufizimet e aksesit të mediave në Shtëpinë e Bardhë dhe pretendimet për cenimin e lirisë së shtypit.