Politike
Rama e shkarkoi nga detyra/ Salianji: Vlora Hysenin e kam denoncuar prej vitesh
Ish-deputeti Ervin Salianji ka reaguar pas masës së sigurisë ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Salianji deklaron se prej vitesh ka kundërshtuar emërimin e Hysenit në krye të SHISH-it, duke e cilësuar atë si të paligjshëm. Në reagimin e tij, ai ngre akuza se institucioni i sigurisë kombëtare është përdorur për shantazh, përfitime të paligjshme dhe survejimin e kundërshtarëve.
Ish-deputeti kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe i bën thirrje opozitës që të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të shqyrtuar çështjen dhe përgjegjësitë e mundshme.
“Prej vitesh kam denoncuar emërimin e paligjshëm të Vlora Hysenit në krye të SHISH. Që nga ai moment, Shërbimi Informativ u kthye në Shërbimin Informativ të Krimit. Një shërbim që duhej të mbrojë sigurinë kombëtare u përdor për shantazhe, përgjime të paligjshme, survejime të kundërshtarëve, kërcënime ndaj politikanëve dhe bizneseve dhe për përfitime financiare në këmbim të heshtjes apo publikimit të informacioneve. Nën shantazh kanë qenë edhe institucione të tjera të shtetit.
Me qindra herë e kam denoncuar këtë situatë. Kam kërkuar shkarkimin, hetimin dhe arrestimin e Vlora Hysenit. Pas ndërhyrjes në TIMS, pas kontrollit të institucioneve të sigurisë kombëtare nga krimi, faktimi i sotëm i lidhjeve të drejtueses së SHISH është një alarm i jashtëzakonshëm jo vetëm për sigurinë kombëtare, por edhe për dekonspirimin e informacionit të klasifikuar dhe të informacioneve të partnerëve ndërkombëtarë.
Edi Rama duhet të japë dorëheqjen! Sali Berisha nuk mund ta relativizojë këtë çështje duke i shërbyer Ramës. Bashkë me të gjithë grupin parlamentar duhet të kërkojë hetim parlamentar, mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe përgjegjësi politike deri në dorëheqjen e Edi Ramës.
Fatkeqësisht, shteti i Ramës nuk është në luftë me krimin. Është shtet i krimit në luftë me qytetarët, bizneset, institucionet dhe në bllokadë me partnerët ndërkombëtarë”, shkruan Salianji.