Aktualitet
SPAK njoftim zyrtar: Ja për çfarë akuzohet Vlora Hyseni dhe Ilir Proda
SPAK ka publikuar njoftimin zyrtar mbi masat e sigurisë të caktuara në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t, ku në fokus është edhe drejtuesja e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.
Ndaj Hysenit, Gjykata e Posaçme ka caktuar masat “arrest në shtëpi” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”. Sipas SPAK, ajo po hetohet për veprat penale “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Masat ndaj Hysenit nuk janë ekzekutuar, pasi ajo ndodhet jashtë territorit të Shqipërisë.
Në kuadër të të njëjtit hetim, Gjykata ka caktuar masën “arrest në burg” edhe për dy persona të tjerë. Bëhet fjalë për Fatjon Kalluçin, shef i laboratorit shkencor të Policisë në Tiranë, dhe një punonjës të një biznesi në Durrës. Në banesat e tyre janë kryer gjithashtu kontrolle.
Sipas të dhënave të bëra publike nga SPAK, hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se këta persona mund të kenë ndihmuar biznesmenin Ergys Agasi t’i shmangej arrestimit nga policia për një periudhë të gjatë.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryhen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.
Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 67, datë 21.9.2026 ka caktuar këto masa sigurimi:
- “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga nenet 237 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetases V. H., me detyrë Drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHSH), si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.
- “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin F.K., me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin të Policisë Shkencore, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.
- “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin E.S., punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
Këto vendime i janë dërguar Policisë së Shtetit e cila ka ekzekutuar dy prej tyre.
Me vendimin nr. 618, datë 20.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, ka lejuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të shtetasit I.P., ish funksionar i lartë i Policisë së Shtetit.
Me vendimin nr. 619, datë 21.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lejuar kontrollin e kompleksit të vilave që ndodhen në adresën; kryqëzimi i rrugës “Durrësi në Shekuj” dhe rrugës “Bajram Tusha”, në zonën e Shkozet, Durrës.
Prokuroria e Posaçme falënderon Policinë e Shtetit për mbështetjen në ekzekutimin e këtyre vendimeve.
Arrestimet për dosjen “AKSHI-t”
Po në kuadër të dosjes së AKSHI-t më 26 gusht u arrestua Ergys Agasi në zonën e Plepave në Durrës. Në momentet e arrestimit, ishte në shoqërinë e ish-efektivit Uljan Shpataraku.
Agasi është nën hetim që prej vitit 2025, e ndaj tij rëndojnë dyshime për një sërë veprash penale, mes tyre konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, grup i strukturuar kriminal, pastrim i produkteve të veprës penale dhe korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
Po për çështjen e AKSHI-t, u arrestua në Francë më 28 korrik edhe Ermal Beqiraj, që ndodhej në kërkim nga SPAK. Ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Beqiraj akuzohet se ka përfituar tendera nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe është përmendur në hetimet që lidhen me këtë dosje.
Ndaj Beqirajt, SPAK ka sekuestruar 11 pasuri, kryesisht apartamente, truall, makina dhe mjete lundruese, subjekte si dhe llogari bankare.