Kosova
Endrit Thaçi pas vendimit të Hagës: Na ka lënduar, por nuk na ka mposhtur
Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për dënimin e katër ish-liderëve të UÇK-së me një total prej 81 vitesh burgim.
Në një deklaratë Endrit Thaçi është shprehur se vendimi ka qenë i dhimbshëm për të dhe familjen e tij, por sipas tij, beteja ligjore për drejtësi nuk ka përfunduar.
Ai ka falënderuar shqiptarët nga Kosova, Shqipëria, viset shqiptare dhe diaspora për mbështetjen e dhënë pas vendimit, duke thënë se mesazhet dhe reagimet e tyre kanë qenë burim force për familjen.
“Dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë shqiptarët, pa asnjë përjashtim, nga të gjitha viset shqiptare dhe nga diaspora, që na kanë qëndruar pranë dhe nuk e kanë ndalur zërin e tyre as pas vendimit”, është shprehur ai.
Endrit Thaçi ka deklaruar gjithashtu se familja do të vijojë të ndjekë mundësitë ligjore që ofron procesi gjyqësor, duke theksuar se vendimi, sipas tij, nuk e ka mbyllur betejën për drejtësi.
“Vendimi mund të na ketë lënduar, por nuk na ka mposhtur. Beteja nuk ka mbaruar”, ka shkruar ai në reagimin e tij.
Ai ka shtuar se familja do të vazhdojë ta ndjekë procesin “me kokën lart”, duke shprehur bindjen e tij se është në anën e duhur të historisë.