Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Do përfundojmë keq, shpirt/ Zbardhen mesazhet mes Vlora Hysenit dhe Agasit

Janë zbuluar mesazhet midis Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit, për të cilat SPAK thotë se kanë natyrë të ndryshme nga ajo që ish-drejtoresha e SHISH ka pretenduar se bëheshin në cilësinë e bashkëpunëtorit.

Sipas Report TV, në një mesazh Vlora Hyseni i thoshte Ergys Agasit “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot. Të gjithë ne. Do përfundojmë keq, shpirt”, thonë burime ekskluzive për Report Tv.

Në një mesazh 4 ditë para arrestimit Vlora Hyseni i shkruante Ergys Agasit: “Na kanë bërë shumë gjëra o shpirt…do ia hedhim…problemi është koha.”

Ndryshe nga pretendimet e Vlora Hysenit se komunikimet me Ergys Agasin kanë qenë në cilësinë e bashkëpunëtorit, SPAK thotë se komunikimi i tyre ishte i përditshëm, i tejzgjatur në kohë, telefonata me videocall dhe dërgim fotosh e videosh.

Nga 28 qershori deri më 26 gusht, kur u arrestua Agasi, ka pasur më shumë se 100 telefonata mes tyre dhe qindra mesazhe, për të cilat SPAK thotë se nuk kanë qenë në cilësinë e bashkëpunëtorit.

Vlora Hyseni akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror.

Në kuadër të së njëjtës dosje, me urdhër të GJKKO-së, këtë të martë u kryen kontrolle në banesën e ish-kryepolicit Ilir Proda, i cili ishte thirrur edhe për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme.

Po për të njëjtin hetim, masa e “arrestit me burg” është caktuar edhe për shefin e Laboratorit Shkencor të Policisë në Tiranë, Fatjon Kalluci, si dhe punonjësi i një biznesi në Durrës. Sipas asaj që raportohet, këta persona mund të kenë ndihmuar Ergys Agasin t’i shmangej arrestimit për një periudhë të gjatë. Për këtë të fundit dhe ish-efektivin Ulian Shpataraku, Apeli i GJKKO-së vulosi sot masën e “arrestit me burg”.

Në vazhdën e së njëjtës çështje, u arrestua edhe Ermal Beqiraj. Ai akuzohet se ka përfituar tendera nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, ndërsa SPAK i ka sekuestruar 11 pasuri.

Burime ekskluzive për Report Tv bëjnë me dije se Vlora Hyseni e njoftonte Ergys Agasin edhe për takimet e punës me Kryeministrin dhe Drejtorin e Policisë, si dhe ndante edhe informacione për emërime të mundshme politike.

Burime ekskluzive për Report Tv thonë se drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni u mor në pyetje nga SPAK më 18 shtator, pasi në makinën e biznesmenit Ergys Agasi u gjetën 9 faqe wordi me të dhëna sekrete të SHISH. Të njëjtat burime thonë se para prokurorëve të Posaçëm, Vlora Hyseni ka pranuar se ka pasur komunikim të vazhdueshëm me me Ergys Agasin deri ditën e arrestimi, duke pretenduar se ai ka qenë bashkëpunëtor i SHISH. Vlora Hyseni tha në SPAK se për diagramat e SHISH të gjetura në makinën e Agasit do kthente përgjigje me shkrim

Report Tv mëson detaje të reja pas arrestimit të drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e arrestit shtëpiak. Burime ekskluzive për Report Tv bëjnë me dije se SPAK ka gjetur në makinën e Ergys Agasit, 9 faqe word me diagrame (dokumente sekrete) të SHISH, gjatë kontrolleve që u ushtruan në “Equos Resort” më datë 22 korrik. Biznesmeni i arretsuar për abuzimet me tenderët e AKSHI-t mësohet se në seancë e ka pranuar se dokumentet i përkisnin atij dhe se i kishte lënë me qëllim që t’i gjente SPAK aty.

Advertisement