Kronike
Hyri në shtëpinë e italianit për të vjedhur por ai e qëlloi për vdekje, flet gruaja e shqiptarit
Partnerja e Gjovalin Lazrit, 36-vjeçarit me origjinë shqiptare që u vra gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës në Baldissero d’Alba, në provincën e Cuneos në Itali, ka kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Përmes avokates së saj, ajo ka përcjellë një mesazh ku kundërshton çdo përpjekje për të ndarë njerëzit në “të mirë” dhe “të këqij”, duke theksuar se askush nuk meriton të vdesë apo të qëllohet.
“Dëgjojmë dhe lexojmë shumë gjëra, por dua të them se nuk ekzistojnë njerëz të mirë dhe njerëz të këqij. Nuk ka njerëz që meritojnë të vdesin apo të tjerë ndaj të cilëve është e drejtë të qëllohet”, është shprehur ajo.
Gruaja, e cila kishte një fëmijë me 36-vjeçarin, ka folur edhe për dhimbjen e familjes pas ngjarjes.
“Djali im nuk ka më baba dhe unë jam e shkatërruar nga dhimbja. Dua që e gjithë e vërteta të dalë në dritë. Kërkoj vetëm që drejtësia të bëjë punën e saj”, ka deklaruar ajo.
Në lidhje me vdekjen e Lazrit, Prokuroria italiane ka regjistruar si person nën hetim Roberto Mollo, 35 vjeç, pronar i një banese në rikonstruksion, e cila dyshohet se ishte sulmuar nga persona që po kryenin një vjedhje. Mollo po hetohet për veprën penale të vrasjes me dashje.
Gjovalin Lazri ishte me origjinë nga Shqipëria dhe jetonte në periferi të veriut të Torinos së bashku me familjen e tij. Ai punonte si barist dhe, sipas dëshmive të fqinjëve dhe klientëve të lokalit ku punonte, përshkruhej si një person i qetë dhe i rezervuar.
“Një familje e mirë, shumë e rezervuar. Nuk dimë shumë për ta, flasin pak, i shohim gjithmonë me fëmijën. Por nuk ka pasur kurrë probleme”, kanë deklaruar fqinjët pas ngjarjes.
Edhe një klient i lokalit ku punonte 36-vjeçari ka shprehur habinë për atë që kishte ndodhur, duke thënë se nuk e kishte ditur se Lazri mund të ishte i përfshirë në vjedhje.
Hetimet vijojnë për të sqaruar dinamikën e ngjarjes, rolin e personave të përfshirë dhe rrethanat që çuan në përdorimin e armës dhe vdekjen e 36-vjeçarit.