Aktualitet
ZBULOHET BISEDA/ Çfarë i tha Vlora Hyseni SPAK 3 ditë para arrestimit?
Tre ditë përpara se Gjykata e Posaçme të caktonte në mungesë masën “arrest në shtëpi” ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, ajo rezulton të jetë marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme.
Sipas burimeve jozyrtare të raportuara nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Hyseni është pyetur në cilësinë e deklarueses dhe gjatë dëshmisë ka pranuar se kishte pasur komunikime të vazhdueshme me biznesmenin Ergys Agasi. Sipas të njëjtave burime, Hyseni e ka konsideruar Agasin si bashkëpunëtor të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe ka deklaruar se i kishte ofruar bashkëpunim.
Por, sipas prokurorëve, komunikimi mes të dyve ka vijuar edhe gjatë periudhës kur Agasi ishte në kërkim. Kontakti dyshohet se është zhvilluar përmes aplikacionit Signal, ndërsa nga përmbajtja e komunikimeve hetuesit kanë evidentuar një marrëdhënie të afërt mes tyre.
SPAK dyshon se ish-drejtuesja e SHISH mund të ketë dhënë informacione apo akte sekrete dhe të ketë përkrahur një person të kërkuar nga drejtësia. Këto janë pjesë e akuzave që do të shqyrtohen në vijim të procedimit penal dhe mbeten për t’u provuar gjatë procesit gjyqësor.
Një prej elementëve që po hetohet janë edhe nëntë faqe të printuara, të gjetura në automjetin e Agasit, të cilat dyshohet se përmbajnë të dhëna me karakter sekret dhe kanë pamje të ngjashme me dokumentacionin e prodhuar nga SHISH.
Sipas raportimeve, në dosjen hetimore gjendet edhe pretendimi se Agasi ka pranuar se dokumentet e gjetura në automjetin e tij ishin lënë qëllimisht, në mënyrë që të zbuloheshin nga Prokuroria e Posaçme.
Ndërkohë, pas zhvillimeve të fundit, Vlora Hyseni është shkarkuar nga drejtimi i SHISH dhe ndaj saj është caktuar masa “arrest në shtëpi”.
Të enjten pritet të zhvillohet seanca në Gjykatën e Posaçme, ku do të paraqitet Hyseni, së bashku me dy personat e tjerë ndaj të cilëve është caktuar masa e arrestit me burg. Në këtë seancë pritet të shqyrtohen masat e sigurisë dhe materialet e paraqitura nga SPAK.