Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

“MBANI SHËNIM”/ Klodiana Lala paralajmëron goditjet e radhës

Gazetarja Klodiana Lala ka paralajmëruar zhvillime të tjera në ditët në vijim, pas aksionit të SPAK që çoi në hetimin dhe arrestimin në shtëpi të ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.

Duke folur mbrëmjen e së martës në emisionin “Opinion”, ku po diskutohej dosja e Hysenit dhe zhvillimet e fundit të SPAK, Lala deklaroi se informacionet e bëra publike deri tani mund të jenë vetëm pjesa e parë e një serie zhvillimesh të tjera nga drejtësia.

Gazetarja iu drejtua drejtuesit të emisionit, Blendi Fevziut, duke i kërkuar të mbante shënim deklaratën e saj për atë që, sipas saj, mund të ndodhë në ditët në vijim.

Sipas Lalës, brenda mazhorancës ekzistojnë përplasje mes grupeve të ndryshme dhe këto konflikte mund të shoqërohen me publikimin e informacioneve të reja.

Në këtë kuadër, ajo përmendi edhe biznesmenin Ergys Agasi, emri i të cilit është bërë pjesë e hetimeve të SPAK dhe që sipas gazetares ka pasur ndikim në sektorë të ndryshëm të administratës.

“Mbaje këtë deklaratën, Fevzi, se do të duhet. Janë dy klane që po përplasen më së forti brenda mazhorancës dhe ke për të parë se, duke sulmuar njëri-tjetrin, do të dalin të dhëna që as nuk do ta kishe imagjinuar ndonjëherë që mund të shohin ditën e publikimit”, deklaroi Lala.

Më tej, gazetarja e lidhi këtë situatë me funksionimin e institucioneve, duke deklaruar se, sipas saj, “shteti është shkërmoqur”.

Lala shtoi gjithashtu se mund të vijë një moment kur kryeministri Edi Rama të përballet drejtpërdrejt me pasojat politike të këtyre zhvillimeve.

“Unë mendoj që do vijë momenti kur zoti Rama do të jetë përballë tyre”, u shpreh ajo.

Deklaratat e gazetares vijnë në një periudhë kur hetimet e SPAK ndaj ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, dhe personave të tjerë të përfshirë në dosje kanë sjellë një seri zhvillimesh institucionale. Përtej deklarimeve publike, çdo pretendim i përmendur në lidhje me personat apo strukturat e përfshira mbetet objekt i hetimeve dhe verifikimeve nga organet kompetente.

Advertisement