Sport
“Zhduket” Granit Xhaka/ Lëvizja e fundit e kapitenit të Zvicrës pas skandalit për falsifikim
Granit Xhaka është rikthyer në rrjetet sociale pas vëmendjes së madhe mediatike që ka shoqëruar çështjen e certifikatës së vaksinimit kundër COVID-19, për të cilën autoritetet zvicerane kanë nisur hetime.
Kapiteni i Zvicrës ka zgjedhur të qëndrojë larg zhurmës mediatike dhe të kalojë kohë me familjen. Në një postim në TikTok, Xhaka ka publikuar dy fotografi pranë detit, të shoqëruara me një mesazh falënderimi për mbështetjen që ka marrë gjatë ditëve të fundit.
“Po marr një moment për të marrë frymë. Faleminderit për çdo mesazh, çdo fjalë dhe çdo mbështetje”, shkroi futbollisti.
Postimi vjen pak ditë pasi Xhaka reagoi publikisht për çështjen e certifikatës së vaksinimit. Ai pranoi se kishte siguruar një vërtetim vaksinimi gjatë periudhës së pandemisë dhe e cilësoi vendimin e atëhershëm si një gabim. Futbollisti ka deklaruar gjithashtu se do të bashkëpunojë me autoritetet në kuadër të hetimit.
Ndërkohë, Xhaka nuk është përfshirë në grumbullimin e Kombëtares së Zvicrës për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Federata Zvicerane e Futbollit ka bërë të ditur se vendimi është marrë në dakordësi me lojtarin dhe se situata do të rivlerësohet pas përfundimit të kësaj periudhe ndërkombëtare.
Në fillim të tetorit, Xhaka pritet të paraqitet për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Kantonit të Lucernës, në kuadër të hetimeve për certifikatat e dyshuara si të falsifikuara.
Ndërsa procedurat ligjore vijojnë, futbollisti ka zgjedhur të qëndrojë pranë familjes dhe të kufizojë ekspozimin publik. Postimi në TikTok është reagimi i tij i fundit publik, ku fokusi ka qenë te falënderimi për mbështetjen e marrë gjatë kësaj periudhe.