Thinking ...
Connect with us

Politike

HEKURUDHAT NË LËVIZJE/ Karakaçi: Në 2027 nis Vorë-Hani i Hotit

Shqipëria po avancon me disa projekte të infrastrukturës hekurudhore dhe rrugore që lidhen me dy korridore europiane, Korridorin VIII dhe Korridorin Adriatiko-Jonian. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, tha se vendi ka një pozicion strategjik në këto korridore, ndërsa bëri të ditur afatet e pritshme për disa prej projekteve kryesore.

Në një postim në rrjetet sociale pas pjesëmarrjes në Forumin Global të Transportit të Qëndrueshëm, ku ishte i ftuar nga ministri i Transportit të Kinës, Karakaçi u ndal te projektet hekurudhore dhe rrugore që janë në proces.

Për Korridorin VIII, ministri deklaroi se gara për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë është në fazën përmbyllëse dhe se fituesi pritet të shpallet brenda muajit nëntor.

Sipas Karakaçit, vijon gjithashtu puna për zgjerimin e korridorit Elbasan-Qafë Thanë. Ndërkohë, segmentet e para të bypass-it të Elbasanit janë kontraktuar dhe, sipas ministrit, punimet kanë nisur.

Prononcimi i Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi:

Isha i ftuar nga Ministri i Transportit të Kinës në Forumin Global të Transportit të Qëndrueshëm, një nga eventet më të mëdha botërore për transportin. Mbajta fjalën gjatë këtij forumi, ku shpreha rëndësinë e bashkëpunimit ndërshtetëror global për sa i përket transportit.

Sigurisht, Shqipëria është vend i vogël, por nyje strategjike në dy korridore evropianë, Korridori VIII dhe Korridori Adriatiko-Jonian.

Për sa i përket Korridorit VIII, tashmë është në përmbyllje gara për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë dhe brenda muajit nëntor pritet shpallja e fituesit. Ndërsa vazhdon puna me ritëm për zgjerimin e korridorit Elbasan-Qafë Thanë. Edhe segmentet e para të bypass-it të Elbasanit tashmë janë kontraktuar dhe filluar nga puna.

Për sa i përket Korridorit Adriatiko-Jonian, edhe këtu jemi në fazën përmbyllëse të garës për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. Investim rreth 360 milionë euro që pritet të fillojë nga ndërtimi në fillim të vitit 2027. Për sa i përket autostradës Adriatiko-Joniane, po punohet për studimin inxhinierik të segmentit më sfidues, Murriqan-Balldren, që po përgatitet me fonde grant nga Bashkimi Europian dhe pritet të dorëzohet në janar të vitit 2027 në ministri.

Ndërkohë vazhdojmë nga puna për finalizimin e kontratës për autostradën Milot-Balldren dhe projektin teknik përfundimtar.

Kam konstatuar së fundmi shumë paqartësi për këtë projekt. Për të pasur transparencë të plotë mbi këtë projekt shumë të rëndësishëm, të gjitha dokumentet e këtij projekti do të jenë të hapura në platformën e Besës, Flamingo Mirror, në mënyrë që kushdo që ka interes të bëjë verifikimet e veta.

Vazhdojmë ditën e sotme me takime me stafin akademik të Institutit të Teknologjisë në Shangai, nisje e një marrëdhënie bashkëpunimi studimore në fushën e ujësjellës-kanalizimeve me këtë qendër ekselence në botë.

Ditë të mbarë!

Advertisement