Thinking ...
Connect with us

Bota

PËRPLASJA RUSI–UKRAINË/ Rubio: Sa më shpejt marrëveshja, aq më pak viktima

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se një armëpushim i kufizuar ose i përkohshëm mes Rusisë dhe Ukrainës nuk do të ishte i mjaftueshëm për t’i dhënë fund konfliktit.

Rubio i bëri komentet pas takimit me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov, në Nju Jork, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sipas Rubio, të dyja palët kanë shprehur interes për diskutimin e një armëpushimi të kufizuar që mund të përfshijë sektorë të caktuar, mes tyre furnizimet me drithëra dhe energjinë. Ai theksoi se një marrëveshje e tillë nuk do ta zgjidhte luftën, por mund të lehtësonte disa prej pasojave dhe presioneve që lidhen me konfliktin.

Sekretari amerikan i Shtetit tha gjithashtu se përfundimi i luftës nuk pritet të arrihet përmes një zgjidhjeje vetëm në fushën e betejës. Sipas tij, rruga drejt përfundimit të konfliktit kalon përmes një marrëveshjeje të negociuar.

Deklaratat e Rubio vijnë në një kohë kur në Nju Jork po zhvillohen diskutime të reja diplomatike për mënyrën e uljes së tensioneve mes Moskës dhe Kievit. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar ndërkohë se Ukraina është e gatshme të diskutojë një armëpushim në Detin e Zi, ndërsa çështja e ndalimit të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike mbetet gjithashtu në qendër të diskutimeve.

Rubio tha se sa më shpejt të arrihet një marrëveshje, aq më pak dëme dhe viktima mund të shkaktojë vazhdimi i luftës.

Advertisement