Thinking ...
Connect with us

Politike

DOSJA HYSENI-AGASI/ PËRPLASJA SHKON DERI TE EDI RAMA/ ÇFARË THA ISH-PROKURORI KARANXHA?

Ish-prokurori Ervin Karanxha ka komentuar  aspektet ligjore të çështjes që lidhet me drejtuesen e SHISH-it, Vlora Hyseni, dhe biznesmenin Ergys Agasi.

Karanxha u ndal veçanërisht te dy akuzat e ngritura ndaj Hysenit dhe mënyra se si mund të përcaktohet dënimi në rast se një person shpallet fajtor për më shumë se një vepër penale.

Duke iu referuar nenit 55 të Kodit Penal, ish-prokurori shpjegoi se dënimi caktohet fillimisht në mënyrë të pavarur për secilën vepër dhe më pas gjykata vendos për bashkimin e tyre.

“Neni 55 parashikon mënyrën e bashkimit të dënimeve. Dënimi caktohet për të dyja veprat në mënyrë të pavarur, pra personi deklarohet fajtor për secilën prej tyre dhe më pas, në bashkimin e dënimeve, mund të aplikohet sistemi i thithjes”, u shpreh Karanxha.

Ai shpjegoi se, sipas sistemit të “thithjes”, dënimi më i rëndë mund të përfshijë atë më të lehtin.

“Nëse për njërën vepër jepen dy vjet dhe për tjetrën një vit, në bashkimin e dënimeve mund të mbeten dy vjet”, tha ai.

Karanxha përmendi edhe mundësinë e sistemit të ashpërsimit, ku dënimet mund të mblidhen, por theksoi se vendimmarrja varet nga rrethanat konkrete të çështjes.

Më tej, ish-prokurori u ndal te pretendimet për nxjerrjen e materialeve sensitive dhe sekretit shtetëror.

“Dalja e sekretit shtetëror në media apo te persona të tretë është problem. Sepse media çfarë detyre ka? I vjen një material dhe e publikon. Përgjegjësia është te personi që e ka pasur materialin dhe e ka nxjerrë”, deklaroi Karanxha.

Sipas tij, materialet e sekuestruara përbëjnë vetëm një pjesë të asaj që mund të zbardhet gjatë hetimit.

“Këto janë provat e para. Hetimi do të nxjerrë se sa materiale ka dhe çfarë ka ndodhur me to”, u shpreh ai.

Karanxha komentoi edhe elementin e marrëdhënies personale që pretendohet se ekziston mes Hysenit dhe Agasit, duke theksuar se një lidhje sentimentale, në vetvete, nuk përjashton përgjegjësinë penale nëse provohet se është dhënë ndihmë për t’i shpëtuar përgjegjësisë.

“Unë e thashë, nuk e paragjykoj lidhjen intime. Mund të kenë një lidhje, por kjo nuk do të thotë se mund të shkelet ligji”, deklaroi ish-prokurori.

Ai shtoi se ligji parashikon kategori të caktuara personash që mund të përjashtohen nga përgjegjësia në raste të ndihmës ndaj autorit të një vepre penale, ndërsa, sipas tij, një lidhje sentimentale nuk hyn automatikisht në këto kategori.

“Një lidhje sentimentale, pra e dashura apo i dashuri, nuk të përjashton nga përgjegjësia penale nëse i jep ndihmë personit”, u shpreh Karanxha.

Në fund, ai iu referua akuzës për përkrahjen e autorit të krimit, duke theksuar se bëhet fjalë për një dispozitë që lidhet me dhënien e ndihmës apo mjeteve për t’i shpëtuar kapjes, kërkimit ose arrestimit.

“Ligji e përcakton qartë”, përfundoi Karanxha.

Advertisement