Bota
INTELIGJENCA AMERIKANE: RUSIA MUND TE GODASE ITALINE, FRANCEN DHE SPANJEN NGA DETI
Një paralajmërim i ri për një përshkallëzim të mundshëm rus në Evropë ka mbërritur në disa kancelari evropiane.
Sipas raportimeve të medias spanjolle El Mundo, shërbimet amerikane të inteligjencës kanë mbledhur informacione për një skenar të mundshëm ku Rusia mund të përdorë dronë të lëshuar nga anije në Mesdhe.
Paralajmërimi, sipas raportimeve, u është përcjellë edhe Spanjës, Francës dhe Italisë.
Skenari i dyshuar është që dronët të transportohen të fshehur në kontejnerë anijesh dhe të lëshohen në det, në distancë nga objektivi.
Një burim pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Lituanisë, cituar në kushte anonimiteti, ka deklaruar se një operacion i tillë është teknikisht i realizueshëm.
Në qendër të vëmendjes është edhe droni Gerbera, për të cilin autoritetet lituaneze kanë informacion se mund të përdoret në një skenar të tillë.
Sipas të dhënave të publikuara, mjeti është rreth dy metra i gjatë, ka një hapje krahësh prej rreth 2.5 metrash dhe një rreze të deklaruar veprimi deri në 600 kilometra.
Edhe pse ngarkesa shpërthyese e një droni të tillë është relativisht e vogël, ekspertët paralajmërojnë se objektivi nuk do të ishte domosdoshmërisht shkatërrimi masiv.
Një sulm mund të shkaktonte zjarr, dëmtime në pajisje, ndërprerje të përkohshme të aktivitetit në një aeroport apo port, ose të shërbente si demonstrim i aftësisë për të goditur larg vijës së frontit.
Informacionet për këtë skenar nisën të qarkullojnë pas vizitës së drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë më 25 gusht. Sipas raportimeve të The Wall Street Journal dhe Politico, vizita lidhej me paralajmërime ndaj Rusisë për çdo sulm apo provokim të mundshëm ndaj NATO-s.
Analisti britanik Keir Giles e sheh distancën gjeografike nga Rusia si një garanci të pamjaftueshme sigurie.
“Nuk janë domosdoshmërish vendet e vijës së parë ato që do të jenë objektivi. Objektivi do të jetë aty ku ndodhet pika më e dobët e Evropës”, citohet të ketë thënë Giles.
Sipas tij, një operacion i tillë nuk do të kishte domosdoshmërisht synim një shkatërrim në shkallë të gjerë, por mund të përdorej për të testuar mbrojtjen evropiane dhe për të shkaktuar ndikim politik e psikologjik.