Politike
Muçi përplaset me mazhorancën: Parti hajdutësh, sulltani do t’ju bëjë kurban të gjithëve
Deputeti i partisë Lëvizja Bashkë, Redi Muçi ka folur me tone të larta nga foltorja e Parlamentit, teksa hodhi akuza të rënda drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe deputetëve të mazhorancës socialiste.
Muçi listoi skandalet e fundit që kanë përfshirë kupolën e sigurisë dhe të administratës publike, duke ironizuar alibinë e kryeministrit se zyrtarët e korruptuar kanë ngrënë “kumbulla dhe dardha” pas shpinës së tij.
Sipas deputetit, institucionet kryesore të shtetit, përfshirë SHISH, AKSHI-n dhe Policinë e Shtetit, janë dorëzuar në duart e krimit të organizuar, ndërsa kryeministrin e cilësoi si një “Sulltan” që mendon vetëm për interesat e veta dhe është i gatshëm të sakrifikojë bashkëpunëtorët e tij.
“Ky parlament nuk i hoqi imunitetin ish-zv.kryeministres kur nisi hetimi për tunelin në Llogara, vilën në Llogara e më pas vilën në Green Coast.
Drejtoresha e SHISH e lidhur me krimin, e AKSHI e lidhur me krimin, drejtori i Policisë së Shtetit i lidhur me krimin, kryetari i bashkisë drejton nga burgu… ish-zv.kryeministrja hajdute.Si nuk ju vjen zor nga vetja, shtetfunksionarë që hanë kumbulla e dardha pas këtij burri të kulluar?!
Parti hajdutësh që keni bërë pis këtë kryeministër! Sulltani ynë është besnik vetëm ndaj interesave të tij dhe është i gatshëm t’ju bëjë kurban të gjithëve.”, tha ai.