Bota
SUPERFUQITE DORE PER DORE/ TRUMP-XI JINPING, TAKIMI QË MUND TË NDRYSHOJË BOTËN
Një mesazh i pazakontë bashkëpunimi nga Uashingtoni dhe Pekini.
Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti kinez Xi Jinping e vunë theksin te dialogu, tregtia dhe bashkëpunimi, gjatë pjesës publike të takimit në Shtëpinë e Bardhë.
Trump deklaroi se marrëdhënia mes dy vendeve ka bërë “hapa të jashtëzakonshëm”, duke theksuar se Uashingtoni dhe Pekini po punojnë për një marrëdhënie tregtare më të balancuar.
Në fokus, sipas presidentit amerikan, janë edhe çështjet e sigurisë, teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.
Xi Jinping, nga ana tjetër, foli për nevojën e një komunikimi të vazhdueshëm dhe për forcimin e besimit mes dy fuqive.
“Nëpërmjet dialogut të sinqertë, të thellë dhe të vazhdueshëm, dy vendet tona mund ta kuptojnë më mirë njëra-tjetrën dhe të ndërtojnë besim të ndërsjellë”, deklaroi Xi.
Presidenti kinez theksoi se interesat e SHBA-së dhe Kinës janë të ndërthurura dhe se bashkëpunimi mes tyre është i rëndësishëm edhe për çështjet globale.
Në planin ekonomik, Xi kërkoi trajtim të drejtë për kompanitë kineze në Shtetet e Bashkuara dhe deklaroi se konkurrenca mes dy vendeve duhet të jetë “e shëndetshme”.
Edhe inteligjenca artificiale ishte pjesë e mesazhit të Pekinit. Xi tha se SHBA-ja dhe Kina kanë përgjegjësi që zhvillimi i kësaj teknologjie të mbetet nën kontrollin e njerëzve dhe të përdoret në dobi të tyre.
Por përtej ekonomisë dhe teknologjisë, Xi solli në vëmendje edhe historinë e marrëdhënieve mes dy popujve, duke njoftuar një program për të sjellë 100 mijë të rinj amerikanë në Kinë gjatë pesë viteve të ardhshme.
Në fund, presidenti kinez e lidhi të ardhmen e dy vendeve me objektivat kombëtare të të dyja palëve.
“Ringjallja e madhe e kombit kinez dhe bërja e Amerikës përsëri të madhe mund të shkojnë dorë për dore”, tha Xi.
Një mesazh që vjen në një kohë kur Uashingtoni dhe Pekini mbeten rivalë në ekonomi, teknologji dhe çështje strategjike, por deklaratat publike të dy liderëve sinjalizojnë vullnet për dialog dhe përpjekje për të menaxhuar konkurrencën mes dy fuqive.