✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Tre vite nga sulmi i 7 Tetorit në Izrael, Rama: Jetët e të rinjve u vodhën nga errësira e urrejtjes

Tre vite pas sulmit të 7 Tetorit në Izrael, kryeministri Edi Rama ka kujtuar viktimat dhe familjet e prekura nga ngjarja, duke e cilësuar atë ditë si një tragjedi që vazhdon të rëndojë mbi të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave.

Më 7 tetor 2023, sulmi i Hamasit në Izrael shkaktoi rreth 1,200 viktima dhe 251 persona u morën peng, sipas të dhënave izraelite. Përvjetori i sulmit po përkujtohet sot në Izrael.

Në mesazhin e tij, Rama u ndal veçanërisht te viktimat e festivalit “Nova”, ku ishin mbledhur të rinj nga vende të ndryshme për të festuar.

“Më herët këtë vit, qëndrova në Nova. Ka vende ku heshtja flet më shumë se fjalët, dhe Nova është një prej tyre. Të rinj nga shumë kombe ishin mbledhur atje për të kërcyer, për të qeshur, për të festuar jetën, dhe jetët e tyre u vodhën nga errësira e urrejtjes dhe terrorit”, shkroi Rama.

Kryeministri shqiptar theksoi gjithashtu rëndësinë e kujtesës dhe të luftës kundër antisemitizmit, duke iu referuar edhe historisë së Shqipërisë gjatë Holokaustit.

Rama solli në vëmendje konceptin shqiptar të “Besës”, duke kujtuar se shqiptarët strehuan hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht rrezikut me të cilin përballeshin.

“Sot, kjo trashëgimi kërkon diçka nga ne. Ajo kërkon që kujtesa të mos i dorëzohet kurrë indiferencës, që dhembja të mos braktiset kurrë në vetmi, që antisemitizmi të mos lejohet më të fshihet pas heshtjes, sloganeve apo justifikimeve”, u shpreh Rama.

Në fund të mesazhit, kryeministri shprehu solidaritet me familjet që vazhdojnë të mbajnë zi për të afërmit e tyre.

“Për çdo nënë, baba, fëmijë dhe familje që mban zi sot: Qoftë kujtimi i të dashurve tuaj një bekim i përjetshëm”, përfundoi Rama.

Advertisement