✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

“The Telegraph” sjell rastin e pazakontë: Veliaj e drejton Tiranën nga paraburgimi

Media britanike “The Telegraph” i ka kushtuar një artikull kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke u ndalur te mënyra e pazakontë përmes së cilës ai i është drejtuar qytetarëve ndërsa ndodhet në paraburgim.

Sipas medias britanike, Veliaj ka publikuar një video të krijuar me inteligjencë artificiale, në të cilën shfaqet një avatar i tij përpara flamurit shqiptar dhe atij të Bashkisë së Tiranës. Nëpërmjet këtij mesazhi, ai njofton për një program që parashikon ushqim falas në shkollat e kryeqytetit.

“Kam marrë edhe një angazhim tjetër që nuk do ta harroj kurrë: ushqimin në shkolla”, thuhet në mesazhin e publikuar në Instagram. Videoja ishte e shënuar qartë si e gjeneruar me inteligjencë artificiale.

Në të njëjtin komunikim, Veliaj i referohet edhe situatës së tij në paraburgim. “Pengmarrja ime vazhdon prej 20 muajsh dhe mund t’ju përshëndes vetëm me inteligjencë artificiale”, citohet të shprehet ai.

Më tej, kryebashkiaku deklaron se, pavarësisht qëndrimit në paraburgim, do të vijojë të punojë për qytetin. “Tirana është nderi i jetës sime. Për ta shpaguar këtë nder, do të vazhdoj të punoj edhe nga qelia ku më kanë mbyllur”, thuhet në mesazhin e tij.

“The Telegraph” e cilëson këtë si një mënyrë të pazakontë komunikimi për një zyrtar që ndodhet në paraburgim dhe thekson se kjo është hera e parë që Veliaj i drejtohet drejtpërdrejt qytetarëve që prej qëndrimit të tij në paraburgim.

Media britanike ndalet edhe te situata institucionale e Bashkisë së Tiranës. Sipas saj, pavarësisht paraburgimit dhe procesit gjyqësor, Veliaj vijon të jetë kryetar i bashkisë. “The Telegraph” rikujton se pas arrestimit të tij ishin planifikuar zgjedhje të parakohshme për Bashkinë e Tiranës, por procesi u anulua pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas artikullit, Veliaj i kishte deleguar më herët një pjesë të kompetencave të tij zëvendëskryetares Anuela Ristani, por më pas e kishte shfuqizuar këtë urdhër. Për rrjedhojë, mënyra se si funksionon administrimi i Bashkisë së Tiranës në kushtet kur kryebashkiaku ndodhet në paraburgim mbetet një situatë e pazakontë institucionale.

Veliaj u arrestua në shkurt të vitit 2025 dhe përballet me një proces penal në GJKKO. Sipas “The Telegraph”, ai përballet me 13 akuza, ndërsa vetë kryebashkiaku ka mohuar çdo shkelje.

Media britanike e vendos gjithashtu rastin në kontekstin e përdorimit të inteligjencës artificiale nga figura politike që nuk mund të komunikojnë drejtpërdrejt me publikun. Si shembull përmendet ish-kryeministri pakistanez Imran Khan, i cili në vitin 2023 përdori një video të krijuar me IA për t’iu drejtuar mbështetësve ndërsa ndodhej në burg. Një tjetër rast i përmendur është ai i ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro, ku një avatar i krijuar me inteligjencë artificiale u shfaq në një aktivitet politik të lidhur me fushatën e djalit të tij.

Advertisement