✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Konsumi rritet, por ku shkojnë paratë?/ Ushqimi dominon buxhetin

Familjet shqiptare kanë rritur shpenzimet gjatë vitit 2025, por struktura e konsumit tregon se pjesa më e madhe e buxhetit vijon të shkojë për nevojat bazë.

Sipas të dhënave të INSTAT, një familje shqiptare me mesatarisht 3,1 persona ka shpenzuar rreth 95 mijë lekë në muaj gjatë vitit 2025, ose 2,3% më shumë krahasuar me një vit më parë. Në total, konsumi familjar në vend ka arritur në rreth 72,3 miliardë lekë në muaj.

Zëri kryesor i shpenzimeve vijon të jetë ushqimi. Pothuajse 40% e buxhetit familjar shkon për ushqime dhe pije joalkoolike, që përkthehet në rreth 38 mijë lekë në muaj. Brenda këtij grupi, shpenzimet më të mëdha lidhen me perimet, mishin dhe nënproduktet e tij, si dhe qumështin, djathin dhe vezët.

Pas ushqimeve, rreth 10% e buxhetit familjar shkon për banesën, ujin dhe energjinë, ndërsa rreth 7,5% shpenzohet për restorante dhe hotele.

Ndërkohë, rritja më e ndjeshme e shpenzimeve është regjistruar te argëtimi dhe kultura, ku konsumi është rritur me 10%. Pas tyre renditen alkooli dhe duhani me një rritje prej 5,1%, ndërsa shpenzimet për transport janë rritur me 5%.

Diferenca vërehet edhe sipas qarqeve. Tirana kryeson me më shumë se 110 mijë lekë shpenzime mujore për familje, ndërsa shpenzimet më të ulëta regjistrohen në Kukës, me rreth 76 mijë lekë, dhe në Dibër, me rreth 77 mijë lekë në muaj.

Të dhënat tregojnë se familjet shqiptare po shpenzojnë më shumë, por ushqimi mbetet zëri kryesor i buxhetit. Në të njëjtën kohë, shpenzimet për argëtim, kulturë dhe transport po marrin një peshë më të madhe në konsumin familjar.

Advertisement