Aktualitet
Shoqata “Çamëria” kundër nderimit të Napoleon Zervës në Derviçian: Akt fyes ndaj viktimave të Çamërisë
Shoqata Patriotike “Çamëria” ka reaguar pas ekspozimit të portretit të Napoleon Zervës në Derviçian të Dropullit, duke e cilësuar këtë veprim si një akt fyes ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe kujtesës së viktimave të tragjedisë çame.
Në deklaratën e saj, shoqata kundërshton nderimin publik të Zervës në territorin shqiptar, duke e lidhur figurën e tij me masakrat, dëbimin dhe spastrimin etnik të popullsisë shqiptare të Çamërisë. Sipas shoqatës, ekspozimi i portretit ngre pikëpyetje mbi mesazhin që përcillet përmes këtij aktiviteti.
“Çfarë po nderohet sot në Derviçian? Masakrat mbi gra, fëmijë e pleq? Shtëpitë e djegura? Familjet e shfarosura? Mijëra shqiptarët e dëbuar nga vendlindja e tyre?”, thuhet në deklaratë.
Shoqata “Çamëria” argumenton gjithashtu se figura e Napoleon Zervës mbetet e lidhur, sipas saj, me një prej episodeve më të rënda të historisë së shqiptarëve të Çamërisë dhe shprehet kundër çdo përpjekjeje për rehabilitimin apo glorifikimin e tij përmes aktiviteteve artistike dhe kulturore.
Në deklaratë i referohet edhe ligjit nr. 7839, datë 30 qershor 1994, me të cilin Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur 27 Qershorin “Ditën e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”. Mbi këtë bazë, shoqata ngre pyetjen se si mund të lejohet një ekspozim që, sipas saj, nderon një figurë të lidhur me atë periudhë historike.
Shoqata thekson se çështja nuk lidhet vetëm me vendosjen e një portreti në një hapësirë artistike, por me mënyrën se si trajtohet kujtesa historike dhe me përgjegjësinë e institucioneve publike.
“Liria e artit nuk mund të përdoret si mburojë për glorifikimin e autorëve të masakrave. Bashkëjetesa nuk mund të ndërtohet mbi fyerjen e kujtesës së viktimave”, thuhet më tej në deklaratë.
Përballë kësaj situate, Shoqata Patriotike “Çamëria” kërkon heqjen e portretit nga çdo ekspozim që synon, sipas saj, nderimin ose glorifikimin e Napoleon Zervës. Ajo kërkon gjithashtu një shpjegim zyrtar nga Bashkia Dropull për mënyrën se si është organizuar dhe lejuar ekspozimi.
Shoqata i kërkon qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse verifikimin e rrethanave të aktivitetit, përfshirë organizimin, financimin dhe miratimet institucionale, si dhe evidentimin e çdo shkeljeje të mundshme ligjore. Po ashtu, kërkohet që Prokuroria të vlerësojë nëse ka vend për nisjen e veprimeve ligjore.
Në reagim përmendet edhe transmetimi i aktivitetit nga RTSH, për të cilin shoqata kërkon të vlerësohet përgjegjësia lidhur me pasqyrimin e ngjarjes.
Në përfundim, Shoqata “Çamëria” i bën thirrje institucioneve shtetërore për reagim dhe transparencë, duke theksuar se kujtesa e viktimave të Çamërisë nuk duhet të relativizohet dhe se figurat historike të lidhura me tragjedinë çame nuk duhet, sipas saj, të nderohen në territorin shqiptar.