Politike
Balla zbulon shifrën: Buxheti 2027 pritet të arrijë 10 miliardë euro
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar në Kuvend se Reforma Territoriale është e lidhur drejtpërdrejt me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gjatë fjalës së tij, Balla tha se një pjesë e rëndësishme e legjislacionit europian do të zbatohet në nivel vendor dhe se njësitë e qeverisjes vendore do të kenë rol në përkthimin e procesit të integrimit në shërbime konkrete për qytetarët.
“Anëtarësimi në BE kërkon reforma të thella e të vështira. Janë reforma që duhen bërë me çdo kusht. Edhe kjo reformë ka dimensionin e vet. Një pjesë e tyre lidhet me kapitullin 22. Rreth 70% e legjislacionit të BE-së zbatohet në nivel vendor”, deklaroi Balla.
Duke iu referuar organizimit territorial dhe zgjedhjeve vendore të vitit 2027, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së tha se kryetarët dhe këshillat vendorë që do të zgjidhen atë vit do të kenë një rol të rëndësishëm në procesin e integrimit.
Në fjalën e tij, Balla foli edhe për buxhetin e vitit 2027, duke deklaruar se ai pritet të arrijë në 10 miliardë euro dhe se bashkitë do të jenë ndër përfitueset. Ai krahasoi gjithashtu peshën e financimit të pushtetit vendor me atë të vitit 2015.
“Sipas matematikës së Lulit, kjo 100 njësi është shumë më pranë propozimit tonë sesa 373 njësi. 10 miliardë euro do të jetë buxheti i vitit 2027, ku bashkitë janë patjetër përfituese. Nëse në 2015 zinte një peshë prej 2.4%, sot është 3.5%. Ja pra që qeveria qendrore i ka dhënë më shumë mbështetje pushtetit vendor”, u shpreh ai.
Në përfundim të fjalës, Balla akuzoi opozitën se fokusi i saj është te zgjedhjet e ardhshme, ndërsa mazhoranca, sipas tij, synon të punojë për gjeneratat e ardhshme.
“Ju e keni hallin te zgjedhjet e radhës, por dallimi mes nesh dhe jush është ajo që thoshte Çërçill: ‘ne punojmë për gjeneratën e radhës’. Ju ndoshta keni shpresë të punoni për zgjedhjet e radhës”, deklaroi Balla, duke e mbyllur fjalën me një tjetër replikë ndaj opozitës.