Aktualitet
Protestues, policë dhe gazetarë në spital, Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka njoftuar se strukturat shëndetësore kanë qenë në gatishmëri të plotë gjatë protestës së sotme, për t’u ardhur në ndihmë personave të lënduar.
Sipas njoftimit zyrtar, ndihmë mjekësore kanë marrë disa protestues, përfaqësues të medias, efektivë policie dhe kalimtarë. Ata janë trajtuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe në Spitalin e Traumës.
Ministria bëri të ditur se një pjesë e personave të dëmtuar vijojnë të jenë nën kujdesin e mjekëve. Në njoftim nuk janë specifikuar numri i saktë i të trajtuarve dhe gjendja shëndetësore e secilit prej tyre.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
Strukturat shëndetësore në gatishmëri për t’u ofruar ndihmë mjekësore personave të dëmtuar gjatë protestës
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën me dije se strukturat shëndetësore kanë qenë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo nevoje për ndihmë mjekësore gjatë protestës dhe pas përshkallëzimit të saj.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur tre protestues me shqetësime shëndetësore pas ekspozimit ndaj gazit. Pas konsultës me mjekët, dy prej tyre janë larguar nga spitali, ndërsa personi i tretë vijon ekzaminimet nga stafi i urgjencës.
Në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor edhe dy përfaqësuese të medias, të cilat, pas ekzaminimeve dhe konsultave përkatëse, janë larguar me këshillën e mjekut, në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, gjashtë efektivë të Policisë, të raportuar me dëmtime nga mjete të forta, kryesisht në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme, kanë marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe janë larguar nga spitali jashtë rrezikut për jetën, me këshillën e mjekut.
Për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy kalimtarë. Njëri prej tyre është shtruar në spital, ku do të vijojë të qëndrojë nën kujdesin e stafit mjekësor, ndërsa tjetri po mbahet në monitorim nga mjekët.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe strukturat shëndetësore mbeten në gatishmëri për të garantuar ofrimin në kohë të kujdesit mjekësor për çdo person që paraqet nevojë.