✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Ish-zv.kryeministrja socialiste thirrje politikës: Merrni përgjegjësi për krizën

Ish-zëvendëskryeministrja socialiste Ermelinda Meksi ka reaguar për protestat që prej katër ditësh po zhvillohen në Tiranë, duke u bërë thirrje drejtuesve politikë të marrin përgjegjësi dhe të angazhohen për një zgjidhje përmes dialogut.

Në një mesazh të publikuar më 16 tetor, Meksi thekson se kërkesa e protestuesve për largimin e kryeministrit Edi Rama nuk duhet të shpërfillet, por të trajtohet përmes përgjegjësisë politike dhe procedurave demokratike. Ajo nënvizon se situata kërkon reflektim dhe vendimmarrje serioze, në një kohë kur pakënaqësia qytetare është bërë e dukshme.

Duke iu referuar përvojës së saj shumëvjeçare në politikë dhe angazhimit në OSBE, Meksi argumenton se stabiliteti nuk mund të garantohet duke heshtur pakënaqësitë, por duke trajtuar shkaqet që i kanë prodhuar ato. Sipas saj, institucionet dhe forcat politike duhet të krijojnë hapësira për debat të hapur dhe të dëgjojnë edhe zërat kritikë.

“Kërkesa për largimin e Kryeministrit nuk mund të shpërfillet dhe as të bëhet shkak për përplasje të mëtejshme. Ajo duhet të trajtohet me përgjegjësi politike, në respekt të vullnetit qytetar dhe të procedurave demokratike”, shkruan Meksi.

Reagimi i plotë i Ermelinda Meksit:

Kur vendi është në krizë, urtësia duhet të ketë fjalën!

Kam pritur të shkruaj, jo sepse nuk kam pasur shqetësim, por sepse në momente të tilla fjalët duhet të peshohen mirë dhe thirrjet duhet të çojnë drejt zgjidhjes, jo drejt përshkallëzimit.

Përvoja shumëvjeçare politike më ka mësuar se asnjë krizë e rëndë nuk zgjidhet duke mohuar problemin, duke shpërfillur pakënaqësinë apo duke vendosur interesa të ngushta mbi interesin e vendit.

Gjatë angazhimit shumëvjeçar në OSBE, jam marrë edhe me rëndësinë e adresimit të korrupsionit, për të parandaluar që pakënaqësia e akumuluar të kthehet në revoltë që cenon stabilitetin dhe sigurinë e vendit. Kjo përvojë më ka bindur se stabiliteti i qëndrueshëm nuk sigurohet duke heshtur pakënaqësinë, por duke adresuar shkaqet e saj.

Shqipëria ka nevojë për urtësi, përgjegjësi dhe një zgjidhje politike serioze. Kur besimi te qeverisja është tronditur dhe zemërimi qytetar është kaq i dukshëm, nuk mjaftojnë deklaratat dhe formulat e zakonshme. Nevojitet guxim politik për t’u përballur me realitetin dhe për të gjetur një rrugëdalje që i shërben vendit.

Përvoja në politikë më ka mësuar se forumet politike kanë vlerë kur krijojnë hapësirë për debat të hapur, reflektim dhe vendimmarrje kolektive. Në momente të vështira, një forcë politike duhet të ketë kurajën të dëgjojë edhe zërat kritikë, të vlerësojë situatën pa paragjykime dhe të vendosë interesin e vendit mbi çdo konsideratë tjetër.

Kërkesa për largimin e Kryeministrit nuk mund të shpërfillet dhe as të bëhet shkak për përplasje të mëtejshme. Ajo duhet të trajtohet me përgjegjësi politike, në respekt të vullnetit qytetar dhe të procedurave demokratike. Është koha që drejtuesit politikë të shqyrtojnë me seriozitet mundësitë për një zgjidhje që qetëson situatën, garanton funksionimin e institucioneve dhe ndihmon në rikthimin e besimit.

U bëj thirrje drejtuesve politikë, deputetëve, forumeve politike, intelektualëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile të marrin përgjegjësinë që kërkon ky moment.

Hapni një proces të vërtetë konsultimi dhe dialogu, ku të dëgjohen shqetësimet e qytetarëve, veçanërisht të studentëve, dhe të shqyrtohen me sinqeritet rrugët e mundshme të daljes nga kriza.

Dhuna nuk është zgjidhje. Por as shpërfillja e shkaqeve të zemërimit nuk sjell paqe. Duhen shmangur provokimet, mbrojtur protesta paqësore dhe mos lejojuar që kriza politike të kthehet në një plagë edhe më të thellë shoqërore.

Shqipëria është mbi çdo individ, post apo parti. Asnjë pushtet nuk vlen më shumë se paqja sociale, dinjiteti i qytetarëve dhe e ardhmja e vendit.

Është koha që politika të tregojë urtësi, jo duke fituar kohë, por duke gjetur zgjidhje. Përgjegjësia politike matet jo vetëm me mënyrën si fitohet pushteti, por edhe me guximin për të vepruar kur interesi i vendit e kërkon.

Le të mbizotërojnë urtësia dhe përgjegjësia ndaj Shqipërisë!

E.Meksi, 16 Tetor 2026

Advertisement