Bota
ITALIA NEN DHUNE NGA PROTESTAT/ MINISTRI I MBROJTJES: ESHTE LUFTE HIBRIDE
Autoritetet italiane janë vënë në lëvizje pas protestave të dhunshme që kanë ndodhur gjatë këtyre ditëve në disa qytete.
Shërbimet e inteligjencës italiane po analizojnë mënyrën se si u organizuan dhe u përhapën thirrjet për protestat e dhunshme në Milano, Torino dhe Bolonjë, mes dyshimeve për një ndërhyrje të mundshme nga jashtë.
Sipas mediave italiane, hetimet po përqendrohen te përhapja e mesazheve në rrjetet sociale, ku algoritmet dhe bot-et mund të kenë ndihmuar që thirrjet për protestë të mbërrinin te të rinjtë më të prirur për revoltë. Analistët dyshojnë për një ndikim të jashtëm dhe po shqyrtojnë veçanërisht pistën ruse, por përgjegjësitë nuk janë përcaktuar ende.
Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, i ka cilësuar ngjarjet si pjesë të një “lufte hibride”, e cila, sipas tij, zhvillohet përmes mjeteve jokonvencionale, përfshirë TikTok-un, YouTube-in dhe platformat e tjera sociale.
Sipas Crosettos, ndikimi përmes këtyre platformave mund të ketë formësuar pikëpamjet dhe sjelljen e të rinjve, duke i vënë ata në konflikt me rregullat demokratike.
Edhe ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, ka kërkuar që çështja të hetohet më tej. Ai ka vënë në dukje se, megjithëse mobilizimi i të rinjve dukej spontan, mënyra se si u zhvilluan ngjarjet ngre dyshime për organizim dhe përpjekje për destabilizimin e rendit publik.
Megjithatë, brenda qeverisë italiane ka edhe qëndrime kundërshtuese. Zëvendëskryeministri Matteo Salvini ka hedhur poshtë dyshimet për përfshirjen e Rusisë, duke argumentuar se vëmendja duhet të përqendrohet te rendi publik dhe parandalimi i dhunës.
Ndërkohë, analizat e inteligjencës pritet të shqyrtohen edhe në nivel institucional, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhin se kush e publikoi fillimisht thirrjen për protestë dhe si u përhap ajo kaq shpejt në rrjetet sociale.