✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Koçiu “kërcënon” studentët: Kush shkatërron pronën do të paguajë…

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka deklaruar se qeveria është e gatshme të dialogojë me studentët dhe qytetarët, por ka përjashtuar bisedimet me personat që, sipas saj, nxisin dhunën gjatë protestave në Tiranë. Ajo njoftoi gjithashtu se po përgatitet një paketë masash administrative, përmes së cilës personat që shkaktojnë dëme në pronën publike mund të detyrohen t’i dëmshpërblejnë financiarisht.

Duke folur për situatën e krijuar në kryeqytet, Koçiu tha se prej disa ditësh janë regjistruar akte dhune ndaj bizneseve, institucioneve publike dhe punonjësve të policisë. Sipas saj, shqetësues është fakti që këto veprime kryhen në emër të studentëve, përfshirë edhe të mitur që marrin pjesë në protesta.

“Ka goditur bizneset, institucionet publike, punonjës të policisë dhe ka goditur të gjithë ata elementë të sigurisë dhe rendit publik. Kemi bërë thirrje për të dënuar dhunën, sidomos kur kjo dhunë ushtrohet në emër të studentëve, sidomos të mitur që janë aty dhe që po përdoren në emër të studentëve”, deklaroi Koçiu.

Zëvendëskryeministrja theksoi se qeveria po punon për një mekanizëm administrativ që synon të vendosë përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara. Sipas saj, shkatërrimi i pronës publike dëmton të gjithë qytetarët, pasi investimet në institucione dhe hapësira publike financohen nga taksat.

“Ne po punojmë për një paketë masash administrative, me parimin në të cilin kush shkatërron pronën do duhet të dëmshpërblejë të gjitha ato dëmtime që vijnë si rezultat i dhunës. Çdo vepër publike që bëhet për qytetin është me patjetër vepër e taksave të shqiptarëve dhe kushdo që e dhunon një institucion publik do duhet të dëmshpërblejë”, u shpreh ajo.

Koçiu përsëriti se ftesa për dialog mbetet e hapur, duke nënvizuar se qeveria është e gatshme të dëgjojë kërkesat dhe propozimet e studentëve. Megjithatë, ajo bëri dallimin mes pjesëmarrësve që kërkojnë të paraqesin shqetësimet e tyre dhe personave që, sipas saj, përfshihen në akte dhune ose i organizojnë ato.

“Ne jemi të hapur për dialog. Kemi disa ditë tashmë. E kemi thënë që ditën e parë: jemi të hapur për të dialoguar, por jo ndaj dhunuesve dhe ndaj organizatorëve të dhunës. Jemi të hapur ndaj çdo studenti dhe ndaj çdo qytetari. Ne jemi të hapur në çdo orë dhe në çdo moment”, deklaroi zëvendëskryeministrja.

Sa i përket përgjegjësisë ligjore, Koçiu tha se çdo person për të cilin konstatohen shkelje dhe sigurohen prova do të përballet me institucionet përkatëse të drejtësisë. Ajo theksoi se, në rastet kur evidentohen vepra penale, procedurat do të vijojnë sipas ligjit.

E pyetur nëse qeveria është e gatshme të pranojë propozimet e studentëve, Koçiu u përgjigj pozitivisht, por ritheksoi se dialogu nuk do të zhvillohet me ata që gjuajnë me gurë ndaj policisë apo institucioneve. Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur protestat në Tiranë janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa mbetet e hapur çështja se si do të trajtohen kërkesat e studentëve dhe përgjegjësitë për dhunën e dëmet e raportuara.

Advertisement