Bota
Meloni “kopjon” Ramën, paralajmëron studentët: Kush thyen do të paguajë
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka njoftuar një paketë të re masash sigurie, që parashikon dënime më të ashpra për aktet e dhunës gjatë protestave, zgjerimin e masave parandaluese edhe për të miturit dhe përgjegjësi financiare për prindërit, fëmijët e të cilëve përfshihen në vandalizëm apo plaçkitje.
Vendimi u mor në mbledhjen e kabinetit të martën, pas trazirave të ditëve të fundit, gjatë të cilave u raportuan përplasje me policinë, djegie të kazanëve të mbeturinave dhe dëmtime të dyqaneve në Milano dhe qytete të tjera italiane. Demonstratat kishin nisur në mënyrë paqësore, me shqetësime për cilësinë e shërbimeve publike dhe rritjen e kostove.
Meloni i cilësoi skenat e dhunës si të papranueshme dhe deklaroi se qeveria nuk do të tolerojë sulmet ndaj forcave të rendit dhe pronës private. Paketa përfshin një vepër të re penale për pjesëmarrjen e dhunshme në demonstrata, si dhe masa shtesë për identifikimin e personave që fshihen pas kapuçëve. Kryeministrja përmendi edhe përdorimin e identifikimit biometrik dhe inteligjencës artificiale, si pjesë e masave të sigurisë të miratuara gjatë muajve të fundit.
Një tjetër masë parashikon zgjerimin e ndalimit parandalues, i cili deri tani zbatohej vetëm për të rriturit, edhe për të miturit. Sipas Melonit, qeveria synon gjithashtu të forcojë sistemin e drejtësisë për të miturit, përmes shtimit të magjistratëve dhe vendeve në qendrat e paraburgimit, duke synuar që përgjegjësia penale të zbatohet edhe për 16-vjeçarët, sipas kushteve të parashikuara nga ligji.
Në kuadër të forcimit të sigurisë, Italia do të dërgojë edhe 500 efektivë ushtarakë shtesë në Milano deri në fund të vitit. Ata do të bashkëpunojnë me policinë dhe Karabinierët për të rritur praninë e forcave të rendit në qytet.
Qeveria e Melonit ka miratuar një sërë masash sigurie që prej ardhjes në pushtet në vitin 2022. Kritikët argumentojnë se politika të tilla nuk adresojnë shkaqet themelore të kriminalitetit dhe trazirave sociale. Ndërkohë, në ditët e fundit, transportuesit kanë protestuar kundër rritjes së kostove të karburantit dhe transportit, situatë që, sipas raportimeve, ka sjellë mungesa të disa produkteve bazë në dyqane dhe radhë të gjata në pikat e karburantit në Italinë jugore.
Në përfundim, Meloni përsëriti qëndrimin se personat që shkaktojnë dëme duhet të mbajnë përgjegjësi: “Ata që thyejnë gjëra paguajnë”.