✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

“Djali im 4-vjeçar u dhunua”/ Nëna nga Korça denoncon edukatoren

Një nënë nga Korça, Volsjana Plasa, denoncon se djali i saj 4-vjeçar është dhunuar nga edukatorja në kopshtin nr. 6 të qytetit. Ajo pretendon se fëmija i ishte ankuar disa ditë më parë se mësuesja, të cilën e identifikon si Xheni, e godiste, por sipas saj, stafi i kopshtit nuk i kishte marrë seriozisht këto pretendime, duke i thënë se djali po gënjente.

Plasa tregon se më pas e ka parë vetë edukatoren duke e shtrënguar të birin nga dora dhe duke e quajtur “mashtrues”. Sipas denoncimit të saj, gjatë incidentit është përfshirë edhe vetë në konflikt, duke pretenduar se edukatorja i ka hedhur telefonin dhe ka ushtruar dhunë ndaj saj.

Nëna thotë se e ka denoncuar rastin në komisariat dhe kërkon ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse. Ajo u bën thirrje autoriteteve arsimore të kryejnë kontrolle në kopshte, me qëllim verifikimin e rasteve të mundshme të dhunës dhe garantimin e sigurisë së fëmijëve.

Rrethanat e ngjarjes dhe pretendimet e ngritura nga nëna mbeten për t’u verifikuar nga institucionet përkatëse. Deri në një sqarim zyrtar, akuzat ndaj edukatores nuk mund të konsiderohen të provuara.

“Para katër ditëve djali më është ankuar, më ka thënë që mësuese Xheni më godet. Kam shkuar atje dhe u kam thënë që fëmija më ankohet. Ato më thonë që jo, sepse fëmija është ters dhe gënjen. U thashë që është fëmijë dhe nuk kam dashur ta zgjas, e mora fëmijën dhe ika. Shkoj dje në mëngjes dhe djali kishte frikë, madje më tha në prezencë të edukatores që më goditën dhe më futën në qilar. Ju kërkova me lutje stafit që djalin mos e fusnin në qilar, sepse është fëmijë dhe më është trembur. Nuk do të shkojë më në kopsht. Ato vazhdonin të më thonin që djali gënjen dhe mashtron.

Edhe gjatë rrugës dje më thoshte djali që të mos e çoja në kopsht, se e godiste edukatorja Xheni. Kur ua thashë dje të njëjtën gjë, u hodh një mësuese tjetër në mënyrë agresive. Drejtoresha po shikonte nga shkallët dhe më kërkoi që ta takoja. Shkova dhe më tha që s’ka mundësi që fëmija të rrihet këtu. Drejtoresha mbajti anën e edukatores, duke thënë që janë shumë të mira, është ambient me kamera që shikohen dhe nga bashkia. Ndërkohë më thoshte mos i beso fëmijës, çfarëdo që të thotë ai. Shkoj për të marrë djalin rreth orës 1:30 dhe e shoh që e kishin nxjerrë në oborr. Mësuesja e kishte shtrënguar në dorë djalin e po i thërriste.

U tmerrova nga ajo që pashë. I thoshte: “Pse gënjen, o mashtrues?” Nxitoj dhe shkoj te djali, ato u shtangën. E pyeta: “Çfarë po i bën fëmijës tim?” Fëmija im 4-vjeçar s’mund të gënjejë. Kam kërkuar drejtoreshën, por s’ka qenë atje. Isha shumë e revoltuar, si çdo nënë që sheh fëmijën në atë gjendje. Unë e lë fëmijën në kopsht, e çoj për t’u edukuar e për të mësuar. U thashë që do të përballen me ligjin. Më morën telefonin e ma hodhën, më ka vënë dorë madje. Mora fëmijën dhe shkova direkt në komisariat. Pa dhënë ende deklarimin tim, më ka marrë drejtoresha në telefon, duke më kërkuar të më takonte për t’u sqaruar. I thashë që tani e zbulova vetë dhe po mashtroni ju të kopshtit, jo fëmija im. Më kërkoi falje dhe më dha të drejtë, por i thashë që do të ndjek rrugën ligjore.

Para pak ditësh fëmija kishte një shenjë të kuqe te qafa. Atje më tregoi që më goditi mësuesja, ishin ditët e para dhe s’i vura shumë rëndësi, por tani e zbulova vetë. I bëj thirrje drejtorisë arsimore që të bëjë kontrolle në kopshte, sepse fëmijët janë të pambrojtur dhe të pafajshëm. Fëmija im foli edhe në prezencë të psikologes, po ata fëmijë që nuk flasin dot, kushedi sa janë dhunuar? I kërkoj drejtorisë arsimore të bëjë kontrolle, sepse në të kundërt askush nuk do t’i çojë fëmijët në kopsht,” tha Plasa.

Advertisement