✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

Vance ia faturon luftës humbjen e republikanëve/ Distancohet nga Trump

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka lidhur drejtpërdrejt humbjet e Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit me luftën në Iran. Në një reagim të gjatë të publikuar në platformën X, Vance tha se konflikti ka qenë një nga faktorët kryesorë që ndikuan në rezultatin elektoral, duke kërkuar që përgjegjësia për këtë humbje të diskutohet hapur.

“Arsyeja pse humbëm është lufta. Vetë presidenti e tha këtë mbrëmë”, shkroi Vance, duke iu referuar deklaratave të Donald Trump. Ai shtoi se ata që mendojnë se përfitimet e konfliktit e justifikojnë koston politike duhet ta thonë hapur këtë qëndrim.

Vance përmendi edhe faktorë të tjerë që, sipas tij, ndikuan në rezultatin e republikanëve. Mes tyre renditi koston e jetesës dhe marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Izraelin. Ai pranoi gjithashtu se mesazhet ekonomike të partisë nuk kishin qenë mjaftueshëm të qarta gjatë fazës përmbyllëse të fushatës.

“Kisha një ndjesi negative para së martës, por edhe unë mbeta i shokuar nga ky rezultat”, u shpreh zëvendëspresidenti.

Nga ana tjetër, presidenti Donald Trump ka pranuar se konflikti me Iranin mund të ketë ndikuar në rezultat, por ka vijuar të mbrojë vendimin për ndërhyrjen ushtarake. Në një bisedë telefonike me Fox News, ai deklaroi se një pjesë e humbjeve mund të lidhet me Iranin, por shtoi se votuesit e kuptojnë rëndësinë e veprimeve të tij.

Deklaratat e Vance nxjerrin në pah debatet brenda kampit republikan për shkaqet e rezultatit elektoral dhe për koston politike të luftës me Iranin.

Advertisement