✦
Thinking ...
Connect with us

Rajon

Me rrezikshmëri të lartë, arrestohet shqiptari i dënuar me dy burgime të përjetshme

Një 43-vjeçar shqiptar, i kërkuar prej gjashtë vitesh nga autoritetet greke për një vrasje të dyfishtë brutale në Korinth, është arrestuar në Athinë. Nikolin Pali u prangos gjatë një operacioni policor në zonën e Patisionit, ku u gjet i armatosur me një pistoletë dhe dy granata dore. Sipas policisë greke, ai nuk pati mundësi t’i përdorte armët gjatë ndërhyrjes.

Pali dyshohet se përdorte dokumente identiteti të falsifikuara dhe ishte dënuar në mungesë me dy burgime të përjetshme. Autoritetet greke po hetojnë gjithashtu nëse gjatë viteve që qëndroi në arrati është përfshirë në vrasje të tjera apo në aktivitete kriminale me pagesë. Sipas burimeve policore, ai konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë, ndërsa po verifikohen informacione se mund të ketë përgatitur një tjetër sulm.

Emri i tij lidhet me vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 11 tetor 2020, në zonën e Flambouros, në Korinth. Viktimat ishin 43-vjeçarja ukrainase Svetlana, e njohur edhe me emrin Fotini, ish-partnerja e të dyshuarit, dhe farmacisti 42-vjeçar Ioannis Zonitsas, me të cilin ajo kishte nisur një lidhje.

Sipas hetimeve të asaj kohe, motivi i krimit dyshohet se lidhej me xhelozinë dhe refuzimin e ndarjes nga ana e ish-partneres. Autori dyshohet se kishte hyrë në banesë duke përdorur një çelës rezervë dhe kishte sulmuar çiftin me sëpatë. Të dy viktimat morën plagë të rënda në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, të cilat rezultuan fatale.

Pas vrasjes, i dyshuari dyshohet se mori telefonat e viktimave dhe automjetin e ish-partneres, të cilin më pas e dogji për të zhdukur gjurmët. Që prej asaj kohe, policia greke e kishte kërkuar në Athinë, Mykonos dhe në Shqipëri, por pa arritur ta lokalizonte.

Arrestimi u realizua pas një operacioni të koordinuar dhe kontrollit të apartamentit ku ai qëndronte. Sipas raportimeve, në banesë ndodhej edhe një grua tjetër, ndërsa hetuesit po verifikojnë aktivitetin e tij gjatë gjashtë viteve në arrati dhe lidhjet e mundshme me ngjarje të tjera kriminale.

Advertisement