Kosova
15 vite pas vrasjes së Dianës, Policia e Kosovës shpall në kërkim Adnon Jasharin
Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Adnon Jasharin, të akuzuarin për vrasjen e 27-vjeçares Diana Kastrati, e cila u vra me armë zjarri në Prishtinë më 18 maj 2011. Kërkimi është bërë në bazë të një urdhërese gjyqësore, ndërsa më 10 nëntor 2026 është parashikuar të zhvillohet seanca e radhës e procesit gjyqësor që po mbahet në mungesë.
Autoritetet kanë publikuar fotografinë e Jasharit dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të japin çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e tij. Ai kërkohet për veprën penale të vrasjes së rëndë.
Vrasja e Dianës ndodhi pasi ajo kishte vendosur t’i jepte fund bashkëjetesës me të dyshuarin, me të cilin kishte edhe një vajzë. Vetëm disa javë përpara krimit, 27-vjeçarja i ishte drejtuar Gjykatës Komunale në Prishtinë për të kërkuar një urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, duke pretenduar se ishte kërcënuar së bashku me të bijën.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kërkesa duhej të shqyrtohej brenda 24 orëve, por ajo mbeti pa përgjigje. Vetëm 22 ditë më vonë, Diana u vra.
Pas ngjarjes, prindërit e saj nisën një betejë të gjatë ligjore për të kërkuar përgjegjësi institucionale për mosveprimin që, sipas tyre, nuk arriti ta mbronte vajzën e tyre. Në vitin 2019, Gjykata Themelore në Prizren caktoi 95 mijë euro dëmshpërblim, por në shkurt të vitit 2023, Gjykata e Apelit e uli shumën në 30 mijë euro.