Aktualitet
“Hajde te lali zemra”/ Prindërit e nxënësve ishin në dijeni të ngacmimit seksual të mësuesit
Shtatë nxënëse të shkollës së bashkuar “Hajredin Beqari” në Selenicë kanë denoncuar mësuesin e edukimit fizik, duke e akuzuar për ngacmime seksuale dhe sjellje të papërshtatshme brenda ambienteve të shkollës.
Pas kallëzimeve, Policia e Vlorës ka shoqëruar 35-vjeçarin Albano Ameti, i cili prej rreth dy muajsh ishte pjesë e stafit pedagogjik të institucionit. Nxënëset që kanë denoncuar rastin janë të moshave 14 deri në 17 vjeçe.
Gjatë verifikimeve në terren, disa nxënës kanë treguar se kishin dëgjuar për pretendimet ndaj mësuesit. Sipas dëshmive të tyre, disa prej nxënëseve janë paraqitur në Policinë e Vlorës, ku janë marrë në pyetje nga grupi hetimor.
Edhe disa prindër shprehen se kanë dëgjuar për pretendime lidhur me sjellje të papërshtatshme të mësuesit ndaj vajzave, përfshirë ngacmime verbale dhe prekje fizike.
Një prej nxënësve ka pretenduar se mësuesi përdorte shprehje të papërshtatshme ndaj vajzave, duke cituar: “Hajde te lali zemra”. Nga ana tjetër, kolegu i tij, mësuesi Dritan Gargaj, i cili thotë se e njihte prej rreth dy muajsh, është shprehur se nuk beson që Ameti mund të ketë kryer veprime të tilla.
Policia po vijon hetimet për të dokumentuar rrethanat e ngjarjes dhe për të marrë në pyetje nxënëse, prindër dhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.