Aktualitet
Mesazhi i parë i ambasadorit amerikan, kë zgjodhi të shfaqë dhe kë la jashtë?
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka zgjedhur një video-mesazh për të përshëndetur qytetarët shqiptarë me nisjen e detyrës së tij diplomatike. Por përtej urimit, vëmendje ka tërhequr përzgjedhja e pamjeve dhe personazheve që shfaqen në video, si dhe mungesa e takimeve të drejtpërdrejta me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Në video, Wendt thekson se një prej përgjegjësive të tij si ambasador është takimi me drejtues politikë dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare. Megjithatë, në prezantimin e këtyre takimeve, ai nis me presidentin Bajram Begaj, të cilin e shfaq gjatë një aktiviteti mirëseardhjeje të organizuar nga ambasada amerikane për ambasadorin e ri.
Më tej, në pjesën që i kushtohet përfaqësuesve të qeverisë, Wendt ka përzgjedhur pamje me ministrin e Kulturës, Blendi Gonxhja, dhe deputeten Erjona Ismaili.
Ndërsa nga kampi opozitar, në video shfaqet Agron Shehaj, kreu i Partisë Mundësia. Në këtë mënyrë, përzgjedhja e pamjeve nuk përfshin takime me dy figurat kryesore të politikës shqiptare, Edi Rama dhe Sali Berisha.
“E kam për detyrë të takoj dhe përfaqësues të tjerë”, shprehet ambasadori, përpara se videoja të vijojë me pamje të drejtuesve të katër komuniteteve fetare në Shqipëri.
Përzgjedhja e këtyre imazheve ka ngritur pikëpyetje mbi mesazhin që ambasadori synon të përcjellë në nisje të mandatit të tij. Megjithatë, vetëm nga montazhi i videos nuk mund të nxirret përfundimi se bëhet fjalë për një qëndrim politik apo një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj Ramës dhe Berishës.
A është thjesht një prezantim i punës diplomatike, apo një sinjal për mënyrën se si ambasadori amerikan synon të ndërtojë marrëdhëniet me aktorët politikë në Shqipëri?